Korrupsioni politik dhe politika e konfliktit si gjeneratorë të rritjes së krimit në Shqipëri
Vrasja e gjyqtarit Skerdilajd Konomi në Vlorë përtej dhimbjes së familjarëve, miqve, shokëve dhe kolegëve të tij, ka nxjerrë në dritë një problem shumë të koklavitur që ka të bëjë me aftësinë e shtetit dhe të institucioneve shtetërore për të siguruar rendin, sigurinë publike dhe jetën e qytetarëve.
Më thjeshtë akoma pyetja shtrohet: nëse shteti është ose jo në gjendje të na sigurojë jetën, familjen dhe pronën e gjithsecilit apo është gjunjëzuar në përballjen me krimin?.
Po tu referohesh ngjarjeve kriminale që raportohen në media dhe në shtypin e lirë, përtej shifrave zyrtare, krimi në Shqipëri ka marrë përmasa të frikshme sidomos në harkun kohor të viteve të fundit.
Në Shqipëri po shfaqen dukuri dhe fenomene kriminale të shëmtuara që nga abuzimi seksual me fëmijët e deri tek vrasjet dhe shëmtimet e kufomave me djegie, eksploziv apo me copëtim trupi, metoda këto që bien ndesh edhe me moralin dhe karakterin e shqiptarëve si popull.
Studimet mbi shkaqet e rritjes së gjendjes së kriminalitetit në Shqipëri shpeshherë u referohen faktorëve ekonomiko-socialë por situata e krimit, dinamika e rritjes, natyra e kriminalitetit, shtrirja gjeografike, metodat e përdorura etj, tregojnë se kriminaliteti në Shqipëri determinohet nga faktorë shumë më kompleksë se kaq, ku korrupsioni dhe politika e konfliktit (konfliktet politike), renditen ndër faktorët nxitës të kriminalitetit por edhe të dështimit në përballjen me të.
Këto dy faktorë kriminogjenë e virusojnë luftën ndaj krimit në gjenezë dhe tentakulat e tyre mbërthejnë pothuajse të gjitha institucionet shtetërore, ku ekzekutivi mbetet vazhdimisht peng i tyre.
Korrupsioni dhe konfliktet politike janë stimulues të njëri-tjetrit dhe kanë ndikim të jashtëzakonshëm në shtimin e kriminalitetit të përgjithshëm në vend për shkak të reaksionit zinxhir që shkaktojnë në trinomin e bashkëpunimit Polici-Prokurori-Gjykatë.
Natyrisht korrupsioni dhe politika e konfliktit në fillim virusojnë ekzekutivin sepse ai përfaqëson vullnetin qeverisës dhe ka në dorë zbatimin e strategjive kombëtare anti-korrupsion dhe anti-krim, ka në dorë buxhetimin e programeve të parandalimit të krimit dhe të financimit të agjencive të zbatimit të ligjit.
Nëpërmjet korrupsionit, krimi përpiqet të shfrytëzojë situatat e konflikteve politike apo zgjedhore me qëllim që të mbërthejë për fyti ekzekutivin e radhës në funksion të rritjes së kapitaleve të pista e që më pas investohen në ekonominë e vendit duke njollosur mbarë shoqërinë me damkën e krimit.
Korrupsioni në Shqipëri paraqitet si korrupsion politik (marrja apo mbajtja e funksioneve të pushtetit politik nëpërmjet dhënies së ryshfetit, mites, gjatë fushatave paraelektorale apo nëpërmjet donacioneve të fshehta nga lobet kriminale që rëndom ndodhin në çdo palë zgjedhje politike apo lokale tek ne), si korrupsion administrativ (nxjerrja e përfitimeve të paligjshme duke abuzuar me ligjin dhe rregullat, këtu kam parasysh skandalet e koncensioneve dhe shitjet e pasurive kombëtare) dhe si korrupsion gjyqësor (ku nëpërmjet ryshfetit dhe mitës gjyqtarët pengojnë procedurat penale më qëllim pandëshkueshmërinë e krimit dhe autorëve, tipik rasti i rrugës Durrës-Kukës ose së shpejti edhe çështja Meta), ku më i rrezikshmi mbetet korrupsioni politik si gjenerator i të gjitha llojeve të korrupsionit dhe krimit në përgjithësi.
Në Shqipëri korrupsioni politik ka prodhuar jo vetëm situata të rënda kriminale por ka gjeneruar në vazhdimësi një konflikt politik permanent mes partive politike dhe që ka mbërthyer prej mëse 20 vjeshtësh gjithë jetën ekonomiko-shoqërore të vendit.
Kjo gjendje e konfliktit politik në Shqipëri ka favorizuar së tepërmi kriminalitetin e dhunës, korrupsionin dhe krimin e organizuar apo shoqëritë e krimit( besoj ky do të ishte termi më i përafërt për krimin e organizuar shqiptar i cili bazohet më tepër në lidhjet shoqërore dhe miqësore se sa në lidhjet e gjakut dhe të familjes) dhe ka sjellë pasoja të rrezikshme për shoqërinë dhe shtetin të tilla si: i) ka prodhuar një çorganizimin dhe çakordim total të strukturave shtetërore ( punojnë secili për hesap të vet dhe nuk i japin llogari askujt); ii) ka demotivuar strukturat e luftës dhe parandalimit të krimit (këtu kam parasysh SHISH-in, policinë, prokurorinë dhe gjykatat); iii) ka shkaktuar një tulatje shoqërore dhe një rritje të indiferentizmit shoqëror( është krijuar përshtypja se ky vend nuk bëhet dhe duhet jetuar duke mbyllur gojën e duke bërë indiferentin); iv) ka rritur ndjeshëm nëpërkëmbjen e të drejtave dhe lirive të individit si dhe ka sjellë një çrregullim të jetës familjare në tërësi( dhunohen nënpunësit e shtetit, të mediave, pushohen nga puna thjesht dhe vetëm pse nuk mendojnë si pushteti).
Pushteti aktual nëpërmjet statistikave manipulative përpiqet të na japë përshtypjen se është duke luftuar pa kompromis krimin dhe korrupsionin por ndërkohë segmente të identifikuara politike brenda tij e pengojnë këtë luftë në mënyrë sistematike.
Për shkak të sjelljeve të papërgjegjshme të pushtetit shfaqen dukuri kriminale të rënda si krimet kundër jetës dhe shëndetit e deri tek krimet që kanë të bëjnë me sigurinë e qytetarëve, pronën, me të drejtat dhe liritë e qytetarëve etj, kjo është motamo fotografimi i gjendjes së tanishme të kriminalitetit në Shqipëri.
Frika dhe pasiguria e qytetarëve për të nesërmen, përdorimi i metodave të dhunës ndaj qytetarëve dhe stigmatizimi i kundërshtarit politik për gjendjen e rënduar të rendit dhe sigurisë publike janë tregues të qartë të një qeverisje që ka dështuar në politikat anti-krim dhe anti-korrupsion dhe nuk mund ta fshehë dot gjunjëzimin dhe zbythjen para krimit.
Teza e korrupsionit dhe e konfliktit politik si faktorë kryesorë të krimit dhe të pandëshkueshmërisë në Shqipëri është mjaft e pasur me ngjarje kriminale dhe nuk lë shteg për të kundërtën. Disa nga argumentat do të ishin si më poshtë: i) në Bashkinë e Tiranës dhe të Kamzës, kamikazë të veshur me pushtet rrahën dhe dhunuan në mes të ditës dhe ditën për diell tre femra që kërkonin trajtim njerëzor dhe human nga ligjet e shtetit dhe askush nuk ka këllqe ti ndalojë dhe ti çojë përpara drejtësisë; ii) ngecja në vend e hetimeve për ngjarjet e 21 janarit ku u vranë katër prindër të mirë dhe të varfër( vetë prokuroria ka deklaruar se nuk mund të bëhet eksperiment hetimor se nuk ka mbështetje dhe bashkëpunim të strukturave shtetërore për të zbardhur ngjarjen); iii) vrasja e gjyqtarit Skerdilajd Konomi në Vlorë( dyshimet janë për çështje pronash dhe dihet mirë se çfarë përfaqëson Gjiri i Lalëzit për politikanët shqiptarë); iv) dështimi dhe degjenerimi i gjyqeve për shpërdorim detyre dhe korrupsion ndaj figurave të larta shtetërore ( rruga Durrës-Kukës); v) rastet e abuzimeve seksuale në zyrat e shtetit(rasti Pango apo Pangomania); vi) degjenerimi i procesit të Gërdecit (pas Wikileaksit në këtë ngjarje përveç vrasjeve masive na shfaqet klasa e gjeneralëve të ushtrisë së vdekur, për të cilët Prokuroria e Republikës hesht edhe pse kemi të bëjmë më një rast të pastër të shkeljes së betimit ushtarak) ; vii) djegia e Komunës së Shalës ( koncepti për shtetin dhe institucionet e shtetit në Shqipëri është primitiv dhe vështirë se ky koncept mund të ndryshojë pas ngjarjeve të vitit 1997 dhe 1998); viii) aksidentet e dyshimta të personave që kanë dijeni për aferat e pushtetit ( janë disa të tilla, ku i fundit ishte rasti i një ish-zyrtari të Ministrisë së Mbrojtjes që u aksidentua duke rënë në lumin Shkumbin) ; ix) dhunimet e gazetarëve dhe minatorëve( rasti i Mero Bazes, rrahja e gazetarëve të Top-Chanelit dhe dhuna ndaj minatorëve të Bulqizës); x) sulmi i pushteteve ndaj njëri-tjetrit( këtu kam parasysh rastin e paprecedent të fyerjes dhe etiketimit të P
