E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova dhe SHBA-ja themelojnë grupin punues për bashkëpunim në fushën e energjisë

PRISHTINË, 9 tetor/|ATSH/ Në Ministrinë e Ekonomisë u mbajt takimi i parë i Grupit Punues për Bashkëpunim në Fushën e Energjisë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që synon të forcojë bashkëpunimin për sigurinë energjetike dhe energjinë e përballueshme.

Në grup marrin pjesë përfaqësues politikë dhe teknikë të Ministrisë së Ekonomisë, KEK-ut dhe KOSTT-it, si dhe përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë dhe të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).

Përmes shkëmbimit të informacionit dhe ekspertizës, palët do të shqyrtojnë mundësitë që u përgjigjen prioriteteve të përbashkëta dhe nevojave të sektorit të energjisë në Kosovë.

Kjo nismë është vazhdimësi të bashkëpunimit e ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në sektorin e energjisë, përfshirë iniciativa të rëndësishme si themelimi i bursës shqiptare të energjisë elektrike ALPEX, hartimi i Strategjisë së Energjisë, zhvillimi i ankandit të parë solar, si dhe investimin në bateri për ruajtjen e energjisë në kuadër të Programit Kompakt me MCC-në, ndër të tjera.

Palët shprehën gatishmërinë për të vazhduar këtë partneritet dhe për të identifikuar mundësi konkrete bashkëpunimi në funksion të një sistemi energjetik më të sigurt dhe më të qëndrueshëm. /KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›