E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova dominon në Gjilan, përleshen tifozët

Ndeshja në mes të Dritës dhe Llamkos Kosovës (0:4) ka pasur rrjedhë normale, por gjithçka është prishur pas ndeshjes, kur pati përleshje në mes të tifozëve.

Në fakt, tifozët gjilanas ‘Intelektualët’ i kanë sulmuar autobusët e tifozëve mysafirë ‘Forca’, duke i demoluar dy sosh, ndërsa kanë mbetur të lënduar edhe disa persona.

Siç njofton Policia e rajonit të Gjilanit, dy shoferët e autobusëve kanë mbetur të lënduar, ndërsa atyre u është shtuar edhe një pjesëtar i Policisë së Kosovës, i cili ishte duke intervenuar për t’i qetësuar gjakrat.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani ka njoftuar se tashmë janë arrestuar dy persona, ndërsa janë duke u kërkuar edhe disa të tjerë.

Pas këtij incidenti, për tifozët vushtrrias janë siguruar dy autobusë të tjerë, me të cilët janë transportuar në Vushtrri, nën përcjelljen e policisë.

Përndryshe, Llamkos Kosova e ka dominuar lojën ndaj Dritës, duke fituar me rezultat 4:0. Golat për ekipin e Luan Prekazit i kanë realizuar Valdrin Rashica (2) në minutat 19 e 75, Labinot Jetullahu (58’) dhe Daut Maxhuni (80’).

Kjo fitore e ngjiti Kosovën në vendin e nëntë me 15 pikë, derisa Drita tani pozicionohet në vendin e katërt me 23 pikë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›