Kosova festë në “Fadil Vokrri”, “Dardanët” mundin Islandën në Ligën e Kombeve, të dielën sfida e kthimit

Kosova kaloi me sukses takimin e parë të Play Off kundër Islandës në Ligën e Kombeve duke fituar në shtëpi 2 me 1.
Dardanet kërkojnë kalimin në ligën B, dhe për t’ia dalë duhet të mbrojnë këtë rezultat në sfidën e kthimit më 23 mars, në Mursia të Spanjës.
Megjithëse me disa mungesa të rëndësishme ku spikat ajo e Edon Zhegroves, por me rikuperimin vetëm në fund të Amir Rrahmanit dhe Valon Berishës, të zotët e shtëpisë kaluan në avantazh në minutën e 19 pas një gjuajtje nga jashtë zone të Lumbardh Dellovës.
Mirëpo pa kaluar vetëm tre minuta nga entuziazmi i të pranishmeve në “Fadil Vokrri,” Islanda do të barazonte shifrat përmes kapitenit Oskarson në fund të një aksioni ku futbollisti nordik kaloi edhe portierin Arijanet Muri.
Në pjesën e dytë këmbëngulja e dardanëve për të shënuar golin e fitores u shpërblye në minutën e 58.
Ishte Elvis Rexhbebaj që goditi pa hyrë në zonën e nordikëve me të majtën duke mposhtur portierin Valdimarson.
Vendasit provuan të shënonin edhe golin e tretë, duke ia dalë madje të shënonin në minutën e 75, por gjyqtari serdar Guzybujuk anuloi gjithçka për një prekje të topit me dorë nga dardanët në zonën mike.
Dueli i dytë të dielën në transfertë do të vendosë fatet e skuadrave në këtë çift, nëse Kosova do të ngjitet një ligë më lartë pra nga C në B, apo Islanda do të vazhdojë të ruajë pozicionin e saj si kombëtare e ligës B./vizionplus.tv