Kosova i vendos sanksione shtesë Rusisë, sanksionon edhe Republikën Islamike të Iranit

PRISHTINË, 13 qershor /ATSH/ Qeveria e Kosovës ka miratuar sot pakon e sanksioneve ndaj Republikës Islamike të Iranit dhe pakon e re shtesë të sanksioneve kundër Federatës Ruse.
Në mbledhjen e qeverisë, zëvendësministrja e Jashtme, Liza Gashi ka theksuar se sanksionet janë të koordinuara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe aleatët tjerë, për siç u tha mbrojtjen e plotë të vlerave të përbashkëta dhe demokracisë.
Sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë, Gashi ka thënë se janë të lidhura me vdekjen e opozitarit rus, Alexei Navalnyn.
Po ashtu, Qeveria e Kosovës, ka ndarë 142 mijë euro për mbajtjen e Samitit të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga prestigjiozja “The Economist”. Për këtë, Kurti ka thënë se është një mundësi e jashtëzakonshme për promovimin global të sukseseve të Kosovës
Ndërkaq, në mbledhjen e sotme të Qeverisë, është miratuar edhe Drafti i Strategjisë së Republikës së Kosovës për Drejtësi Tranzicionale 2024- 2034. Ministrja e Drejtësisë, Haxhiu ka thënë se strategjia ka për qëllim të ndihmojë të korrigjojë padrejtësitë, të shërojë traumat e shkaktuara nga e kaluara e dhimbshme që janë pasojë e krimeve që Serbia ka bërë në Kosovë.
/KosovaPress/