E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kosova merr dronë kamikazë Skydagger – Pajisjet mbërrijnë më herët, FSK rrit kapacitetet luftarake

Kosova ka pranuar këtë të mërkurë një sasi të madhe dronësh luftarakë kamikazë të tipit Skydagger, të cilët kanë mbërritur përpara afatit të parashikuar.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri në detyrë Albin Kurti, i cili tha se dronët ishin planifikuar të vinin në janar të vitit 2026, por u dorëzuan tre muaj më herët.

Sipas tij, dhjetëra pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë trajnuar tashmë për përdorimin e tyre. Dronët janë blerë nga kompania turke Baykar, një prej prodhuesit më të njohur të teknologjisë ushtarake në rajon.

Skydagger është një dron i gatshëm për fluturim, i pajisur me lëndë shpërthyese dhe përdoret për të goditur objektiva si të lëvizshëm ashtu edhe statikë. Kurti theksoi se me këtë blerje Kosova po rrit fuqinë goditëse të ushtrisë dhe po përshtatet me zhvillimet moderne të luftës.

Në muajt e fundit, FSK-ja është pajisur edhe me dronë dhe automjete të blinduara nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa ka kërkuar dhe blerë armë të tjera si raketat antitank Javelin.

Vitin e kaluar, Kosova bleu gjithashtu një flotë dronësh Bayraktar, duke e forcuar më tej arsenalin ushtarak. Ndërkohë, është nënshkruar edhe një marrëveshje me Turqinë për ndërtimin e fabrikës së parë të municioneve në vend, që pritet të përfundojë brenda dy vitesh.

Forca e Sigurisë së Kosovës ndodhet në proces transformimi në ushtri, një rrugëtim që nisi në vitin 2018 dhe do të zgjasë 10 vjet.

Edhe pse Shtetet e Bashkuara e mbështesin këtë proces, NATO ka kërkuar që FSK-ja të përmbushë fillimisht misionin e saj si forcë e reagimit ndaj krizave dhe mbrojtjes civile.

Buxheti i mbrojtjes këtë vit ka arritur në mbi 200 milionë euro, ndërsa FSK-ja vijon stërvitjet me forcat ndërkombëtare në bazat amerikane dhe europiane.

Gazetar: Artur Mata

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›