Kosova mikpret konferencën e Gjykatave Supreme të Evropës Qendrore dhe Lindore

PRISHTINË, 24 qershor /ATSH/ Gjykata Supreme e Kosovës ka mirëpritur sot konferencën e 14-të të kryetarëve të Gjykatave Supreme të Evropës Qendrore dhe Lindore, e cila u organizua së bashku me Institutin CEEELI dhe me mbështetjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës si dhe USAD-it.
Në fjalën e tij, kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi tha se kjo konferencë është mundësi e mirë për shkëmbim të ideve dhe bashkëpunim në mes niveleve më të larta gjyqësore mes atyre vendore dhe ndërkombëtare.
Ndërkaq, duke folur për rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit, Rexhepi tha një gjë e tillë është bazamenti i një demokracie funksionale.
Ai bëri thirrje që të punohet për ta mbrojtur këtë pavarësi, pasi sipas tij, kjo nuk duhet të merret si e mirëqenë.
Më tej, Fejzullahu shtoi ekzistojnë disa raste të ndërhyrjes pushtetit, siç janë ulja e pagave për gjyqtarët e deklarimet e qeveritarëve mbi çështjet që janë në shqyrtim nëpër gjykata, për të cilat tha se paraqesin presion të papranueshëm në raport me punën e gjyqësorit.
Edhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka Nimani tha se pavarësia e gjyqësorit është baza e sundimit të ligjit.
Themeluesi i Institutit CEELI, Homer E. Moyer theksoi se forcimi i sundimit të ligjit është i rëndësishëm për vendin.
Duke lavdëruar arritjet e vendeve të rajonit në fushën e sundimit të ligjit, Moyer tha se para 35 viteve rajoni i Ballkanit ka qenë nën qeveritë autoritare, por që tani 2/3 e shteteve rangohen në pjesën e sipërme të indeksit mbarëglobal të sundimit të ligjit.
/KosovaPress/