Kosova ne prage krize

Sipas Krasniqit, kjo situatë kërkon që të gjitha partitë politike të gjejnë një zgjidhje urgjente.
Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës tha se në këtë moment nuk shërbejnë zgjedhjet e parakohshme dhe se ai është totalisht kundër kësaj ideje.
Krasniqi tha se nuk ka dijeni për takime mes PDK-së dhe AKR-së.
Reagimet e zotit Krasniqi erdhën pasi në orët e para të mëngjesit të ditës së shtunë, partia e Behgjet Pacollit anuloi ceremoninë e dorëzimit të detyrës së Jakup Krasniqi dhe lëshoi një njoftim për shtyp ku thuhej se partia ishte mbledhur për të rishqyrtuar qëndrimin në lidhje me koalicionin qeverisës.
Drejtues të Aleancës Kosova e Re (AKR) kanë konfirmuar se kjo parti dhe partnerët e Koalicionit për Kosovë të Re janë duke shqyrtuar mundësinë e shkëputjes së menjëhershme të koalicionit qeverisës me PDK-në, nëse kjo e fundit nuk i përmbahet kontratës së koalicionit qeverisës.
“Jemi në proçes të strukturave të brendshme, pas gjendjes së re të krijuar. Tashmë ju keni parë edhe sqarimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ne jemi në konsulta të brendshme në vazhdimësi për të gjetur një zgjidhje”, ka thënë ushtruesi i detyrës së kryetarit të AKR-së, Ibrahim Makolli.