E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova perspektive te qarte evropiane

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci po zhvillon një vizitë zyrtare në Bruksel, ku ka marrë mbështetje për perspektivën evropiane të vendit të tij.

Thaci është takuar me presidentin e BE-së, Herman Van Rompuy, i cili sipas tij ka vlerësuar progresin që Kosova ka arritur në fusha të ndryshme.

“Kosova, me politikën e saj konstruktive, po vazhdon t’i kontribuojë ndërtimit të fiqnjësisë së mirë dhe marrëdhënieve të mira me fqinjët, përfshirë Serbinë”, ka deklaruar Thaci.

Sipas “RTK”, kryeministri ka ftuar qytetarët kosovarë që të jenë optimistë, pasi sipas tij, Kosova gëzon përkrahjen e duhur për nisjen e dialogut për liberalizimin e vizave dhe vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale me BE-në.

“Tashmë Kosova ka një perspektivë të qartë evropiane, të cilën po e përkrahin konkretisht edhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian”, është shprehur Thaci.

Ditën e enjte, kryeministri kosovar do të zhvillojë një takim me shefen e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton, me të cilën do të diskutojë për një sërë cështjesh.

Ditën e hënë, Këshilli i Ministrave të BE-së vlerësoi se deri në fund të vitit Unioni duhet të nisë dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën dhe t’i ofrojë asaj mundësi për anëtarësimin në BERZH.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›