Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme! Nuk zgjidhet presidenti i ri

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të zgjedhin presidentin e ri brenda afatit kushtetues, duke çuar automatikisht vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme, të cilat pritet të mbahen brenda 45 ditësh.
Dy kandidatet për presidente të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje, Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha, nuk arritën të votohen në seancën e fundit për shkak të mungesës së kuorumit, pasi partitë opozitare refuzuan pjesëmarrjen.
Nga ana e saj, LVV deklaroi se kishte bërë përpjekje për të gjetur një zgjidhje konsensuale për postin e presidentit, por sipas saj, të gjitha ofertat janë refuzuar nga opozita.
Ndërkohë, partitë opozitare kanë kërkuar një marrëveshje politike më të gjerë për zgjedhjen e kreut të shtetit, duke kundërshtuar mundësinë që Vetëvendosje të mbajë njëkohësisht tri institucionet kryesore: Qeverinë, Kuvendin dhe Presidencën.
Me këtë zhvillim, Kosova futet sërish në një krizë të re politike, ndërsa zgjedhjet e ardhshme do të jenë të pestat brenda një periudhe relativisht të shkurtër kohore.