E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kosovë – Dështon përpjekja për konstituimin e Kuvendit, Haxhiu dhe Gërvalla nuk marrin votat e nevojshme

Deputetët e Kosovës kanë dështuar sërish të konstituojnë Kuvendin. Në seancën që u mbajt këtë të mërkurë (20 gusht), asnjë nga dy propozimet e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla, nuk mundën të marrin votat e nevojshme për t’u zgjedhur në krye të Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje propozoi fillimisht kandidaturën e Haxhiut, e cila nuk ishte pranuar nga opozita edhe në tentativat e kaluara konstitutive. Haxhiu mundi të marrë vetëm 57 vota pro, teksa 56 deputetët votuan kundër dhe 3 abstenuan.

Pasi Haxhiu nuk arriti të zgjidhej, Glauk Konjufca propozoi Donika Gërvallën si kandidate për kryeparlamentare. Megjithatë, edhe ajo siguroi të njëjtën mbështetje, 57 vota pro dhe 56 kundër, duke mos mundur të kalojë pragun e 61 votave të nevojshme për t’u konfirmuar. Kryesuesi i seancës, deputeti i LVV-së, Avni Dehari, e ndërpreu seancën dhe njoftoi 22 gushtin për mbledhjen e radhës.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se partia e tij do të votojë një kandidat nga LVV-ja për kryeparlamentar që nuk ka qenë pjesë e qeverisë së Albin Kurtit.

“Nëse duan zgjidhje, sot mund ta përfundonin këtë punë”, tha ai, duke theksuar votën kundër Albulena Haxhiut dhe të tjerëve brenda kabinetit Kurtit.

Të dyja propozimet e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla, janë ministre në qeverinë në detyrë të Kosovës.

Ndërkohë, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, akuzoi LVV-në se nuk është e interesuar që të zgjidhet situata në Kuvendin e Kosovës.

“LVV-ja sot propozoi dy kandidate për të cilat dihej paraprakisht se nuk i kanë votat”, tha Bajrami.

Edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, akuzoi partinë kryesore në pushtet se propozoi qëllimisht kandidate që nuk kanë mbështetjen e partive, që mandatin e kaluar ishin në opozitë.

“Do ta shihni! Edhe në seancat në vijim do të propozohen figura të tilla që nuk kanë përkrahje”, tha ajo.

Mbledhja e sotme vjen dy ditë pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, që i vendos deputetët përballë disa detyrimeve për të bërë të mundur konstituimin e Kuvendit.

Sipas vendimit të Gjykatës, deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit përmes votimit të hapur dhe brenda prej 30 ditëve, afat që ka hyrë në fuqi prej datës 18 gusht. Po ashtu, një kandidat nuk mund të votohet më shumë se tri herë nëse nuk arrin të marrë votat e nevojshme.

Gjithashtu, vendimi i Kushtetueses detyron të gjithë deputetët e zgjedhur që të jenë të pranishëm dhe të votojnë gjatë zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›