Kosovë – Problemet me energjinë, shkak mbingarkesa

PRISHTINË, 26 dhjetor/ATSH/ Disa komuna të vendit po ballafaqohen me reduktime të energjisë elektrike ditëve të fundit.
Nga kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS), bën të ditur se ndërprerja e energjisë ka ardhur për shkak të konsumit të lartë të energjisë, e cila po shkaktohen ngarkesa në rrjetin elektroenergjetik të KEDS-it në disa vende në Kosovë, duke çuar në djegie të tyre në disa raste.
Zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi thekson për KosovaPress se aktualisht rajoni i Ferizajt po përballet me reduktime të energjisë elektrike. Ai thekson se për shkak të këtyre sfidave në rrjet dhe ngarkesave, furnizimi me energji elektrike është i kufizuar.
Sipas tij, konsumi këto ditë ka shkuar deri në 1.500 megavat orë energji elektrike.Krasniqi ka thënë po ashtu se rrjeti shpërndarës i KEDS-it është për furnizim me energji elektrike shtëpitë dhe bizneset, por jo për ngrohje.
“Aktualisht po vazhdon të mbetet sfidë rajoni i Ferizajt, për shkak të këtyre mbi ngarkesave, ku furnizimi i energjisë elektrike në disa lokacione është i kufizuar. Megjithatë, sipas informatave së shpejti atje do të vihet në funksion, nënstacioni i ri, me të cilin besojmë se do të zgjidhet kjo sfidë për rajonin e Ferizajt.
KEDS, apelon për mbështetje të konsumatorëve dhe i fton ata që të kursejnë sa më shumë energjinë elektrike… Po shkon deri në 800 megavat në orë, por kërkesa është tepër e lartë dhe diferenca në mes të prodhimit dhe konsumit po importohet.. Një numër i konsumatorëve i caktuar i tyre e përdorin energjinë elektrike si të vetmin burim për ngrohje e çka po çon tek ngarkesat e mëdha në rrjet”, u shpreh Krasniqi.
“Në fakt rrjeti jonë shpërndarës nuk është i paraparë për ngrohje, është i projektuar për të furnizuar me energji elektrike shtëpitë, bizneset, në bazë të kërkesave, por jo edhe për ngrohje… Konsumi ka shkuar deri në 1 mijë e 500 megavat për orë”, ka thënë Krasniqi.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së Visar Azemi ka kritikuar Qeverinë e vendit se nuk ka vizion dhe as plan për zgjedhjen e problemit për furnizim me energji elektrike.
“Çdo hapësirë tjetër që lejohet nga qeveria, që ka të bëjë me tregti me Serbinë përmes Martinit dhe Nagipit është një dështim i plotë. Qeveria për katër vite ka treguar se nuk ka as vizion dhe as plan të zgjidhjes së problemit të energjisë elektrike. Madje, ka vendosur njerëzit më jo profesional në udhëheqjen e institucioneve të sektorit të energjisë për t’i dështuar ato dhe për ta degraduar tërë këtë sektor”, thotë ai.
Edhe Naim Bujupi ekspert i energjisë ka thënë se reduktimet e energjisë elektrike vijnë kryesisht nga rritja e kërkesës për furnizim me energji elektrike, kryesisht për ngrohje.
Me uljen e temperaturave në ditët e fundit janë shtuar edhe reduktimet e energjisë elektrike në vend, sidomos në Fushë-Kosovë, Rahovec, Pejë dhe në shumë komuna tjera.
/a.f/