Kosovë- Prattipati takim me krerët e partive: Bllokimi politik minon demokracinë

Përfaqësuesja e përkohshme diplomatike e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, ka zhvilluar këtë javë takime me krerët e partive politike PDK, AAK dhe LDK. Qëllimi i këtyre takimeve ka qenë theksimi i rëndësisë së parimit demokratik që “të gjithë qytetarët kosovarë duhet të kenë të drejtën të votojnë për përfaqësuesit e tyre”.
Në një njoftim zyrtar, Ambasada e SHBA-së bëri të ditur se Prattipati ka paralajmëruar se “bllokimi i partive të kualifikuara përmes taktikave politike apo procedurale kërcënon demokracinë në vend”.
Gjatë bisedimeve, diplomatja amerikane ka shprehur gjithashtu shqetësimin e saj rreth ngërçit në formimin e qeverisë, duke theksuar se liderët e Kosovës “janë zgjedhur për të adresuar sfidat me të cilat përballet vendi”.
Ajo i bëri thirrje udhëheqjes politike që të bashkëpunojë dhe të përmbushë mandatin e dhënë nga populli i Kosovës.
Njoftimi i Ambasadës thekson nevojën urgjente për funksionimin e institucioneve, duke lënë të kuptohet se Uashingtoni po e ndjek me vëmendje situatën politike në vend.
/rtsh.al/