E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kosovë-Maqedoni e Veriut mbledhje të përbashkët qeveritare, hap historik drejt bashkëpunimit rajonal

PRISHTINË, 18 nëntor/ATSH/- Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut mbledhjen e parë jashtë kufijve do ta mbajë sot në Prishtinë, me Qeverinë e Kosovës të drejtuar nga kryeministri Albin Kurti.

Zëdhënësja e Qeverisë së Maqedonisë, Venera Azizi duke komentuar mbledhjen e përbashkët  të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut, e cila do të mbahet në Prishtinë, ka thënë se ky takim shënon një moment të rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona dhe një shembull të bashkëpunimit që na afron drejt një rajoni më të zhvilluar dhe të integruar.

“Në agjendë janë marrëveshje konkrete që do të kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë. Ky është vizioni për një të ardhme më të mirë për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Republikën e Kosovës”, ka deklaruar ajo në një postim në rrjetet sociale.

Një ditë para mbledhjes, Qeveria e Kosovës ka miratuar nismën për lidhjen e Protokollit për implementimin e marrëveshjes për pikat e përbashkëta të kalimit kufitar Hani i Elezit-Bllacë dhe Glloboqicë-Jazhincë, si dhe memorandumin e mirëkuptimit në sektorin e energjisë.

Pika e përbashkëta kufitare do të mundësojë lehtësimin e qarkullimit midis qytetarëve dhe bizneseve të të dyja shteteve, ndërsa marrëveshja energjetike vjen si përgjigje ndaj sfidave të tranzicionit energjetik dhe krizës energjetike në rajon.

Takimi ndërqeveritar fillon nga ora 10:30 me arritjen e delegacioneve të të dyja vendeve, kryeministrit Albin Kurti në ora 10:50, kryeministrit Hristian Mickoski në orën 10:55.

Ceremonia zyrtare e mirëseardhjes së kryeministrit Kurti mbahet nga ora 10:55, për të vazhduar me fotografinë e përbashkët ora 11:10 dhe takimin bilateral ora 11:20. Njëkohësisht mbahet takimi bilateral ndërmjet ministrave homologë – ora 11:20.

Takimi ndërqeveritar, sipas agjendës, do të fillojë në ora 12:00, për të vazhduar me nënshkrimin e marrëveshjeve bilaterale, ndërsa konferenca e përbashkët Kurti-Mickoski nga ora 13:45-14:15, për të përfunduar me drekën zyrtare dhe largimin e delegacioneve.

Mbledhja e fundit e dy qeverive ishte mbajtur më 16 shtator 2021 në Shkup, kur Zoran Zaev ishte kryeministër i Maqedonisë së Veriut, në të cilën kabinetet qeveritare nënshkruan 11 marrëveshje për bashkëpunim në shumë fusha./KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›