E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, Thaçi ngushëllon familjen Kelmendi dhe LDK-në

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka ngushëlluar sot familjen e deputetes së LDK-së Nekibe Kelmendi e cila ndërroi jetë ditën e djeshme pas një sëmundje të rëndë.
“Si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, kam pasur fatin që të punoj bashkë me ministren Kelmendi, në mandatin e kaluar qeveritar. Në kujtesën time, znj.Kelmendi do të mbetet përherë një bashkëpunëtore e sinqertë, e angazhuar në forcimin dhe konsolidimin e shtetit demokratik të Kosovës, për të cilin ajo dhe familja e saj sakrifikuan shumë – thuhet mes tjerash në telegramin e ngushëllimit të kryeministrit Hashim Thaçi.
Më tej Thaçi thekson se Znj.Kelmendi ishte ndër aktivistet dhe intelektualet më aktive të Kosovës, që gjithë jetën e saj e vuri në shërbim të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, duke qenë e angazhuar në institucionet e Kosovës deri në momentet e fundit të jetës.
Në telegram thuhet se znj.Kelmendi si nënë dhe bashkëshorte, përjetoi tmerret e dhunës dhe të genocidit të regjimit serb mbi popullin e Kosovës, duke përjetuar vrasjen e bashkëshortit dhe fëmijëve të saj. Edhe në këtë gjendje, znj.Kelmendi gjeti forcën që të vazhdojë përkushtimet e saj për të mirën e shtetit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›