Kosovë/ Vrasja e Arlinda Zekaj, reagon Vjosa Osmani: Gratë nuk po vriten vetem nga dhunuesit por edhe nga dështimi i sistemit të drejtësisë!

Pas tragjedisë ku përfundoi e vrarë Arlinda Zekaj, e cila kërkoi urdhër mbrojtje të cilin Policia nuk ja ofroi,
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka reaguar ne rrjetet sociale:
Deklarata e plotë:
PËRGJEGJËSIA NUK MUND TË VARROSET BASHKË ME ARLINDËN
Ajo kërkoi mbrojtje. Drejtësia e la në duart e vrasësit.
Fatkeqësisht, femicidi po shndërrohet në plagë të përsëritur të Kosovës.
Gratë nuk po vriten vetëm nga duart e dhunuesve.
Ato po vriten edhe nga dështimi i një sistemi që ua premton mbrojtjen, por nuk ua garanton jetën.
Kur një grua kërkon shpëtim nga sistemi i drejtësisë dhe përfundon e vrarë, dështimi nuk është burokratik. Është fatal. Kunati i saj e vrau Arlindën me sëpatë, por edhe sistemi që duhej ta mbronte duhet të japë llogari.
Dhe kjo përgjegjësi nuk mund të varroset bashkë me viktimën.
Zoti e ruajtë Kosovën nga tragjedi të tilla dhe asnjë familje mos e përjetoftë më dhimbjen e humbjes së një gruaje nga dhuna.