E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosove debate ne Kuvend per korrupsionin

Strategjia dhe plani i veprimit kundër korrupsionit për periudhën 2013-2017, ka nxitur debate në Kuvendin e Kosovës, duke e shtyrë votimin e saj për në seancën e ardhshme.

Kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi ka thënë se korrupsioni është i shtrirë në të gjitha institucionet, dukë përfshirë edhe shëndetësinë dhe arsimin, pothuajse në të gjitha shkallët.

“Korrupsioni është i shtrirë në të gjitha institucionet. Ai nuk është i shtrirë veç në mënyrë vertikale, por edhe horizontale. Ne kemi ligjet, Kushtetutën, kodet penale, por nëse këto institucione nuk kanë vullnet për luftë ndaj korrupsionit, as strategjia nuk duhet gjë”, deklaroi zoti Krasniqi.

Ndërkaq edhe Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë se korrupsioni në Kosovë nuk është kulturë por sistem.

“Dua të them që korrupsioni nuk është kulturë, por është sistem. Vjen prej lart dhe zbret poshtë. Nuk ka të bëjë me popullsinë që të mendohet që korrupsioni na qënka në kulturën e popullit tonë andaj gjërat janë kështu sic janë dhe s’kemi se cfarë të bëjmë. Është e kundërta. Korrupsioni nuk është kulturë, është sistem, i është imponuar popullit tonë”, tha zoti Kurti.

Deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti duke folur për këtë strategji ka thënë se dokumenti është punuar nga disa institucione dhe që është marr si model nga vendet më të avancuara në luftimin e korrupsionit.

“Është dokument që është marr si model nga vendet më të avancuara në luftimin e korrupsionit. Është një proces i kopjuar i ndikuar nga shumë vende që bëjnë aktivitete në fushën e integrimeve europiane dhe është adaptuar nevojave të Kosovës. Është koha të marrim veprime konkrete”, tha deputeti PDK-së, Zenun Pajaziti.

Pas shuarjes së debatit, Komisioni Funksional në bashkëpunim me Grupin Parlamentar të PDK-së kanë vendosur që votimin të shtyjnë për seancën e ardhshme, ku pritet të bëhen edhe disa ndryshime.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›