Kosovë, marrëveshja me Serbinë, peng e ligjeve të kontestueshme
Qeveria e Kosovës ka depozituar në Kuvend pesë ligje që burojnë nga Marrëveshja e 19 prillit. Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar një ligj, tre të tjera i ka miratuar, por u është kontestuar kushtetutshmëria nga një grup deputetësh dhe vetëm një është në proces të rregullt për të hyrë në fuqi.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se Serbia po e përdor si alibi këtë situatë, për të shtyrë shpërbërjen e strukturave ilegale të sigurisë.
Natyrisht se në çdo takim pas arritjes së marrëveshjes është kërkuar një informim për implementimin e saj dhe procesi i shpërbërjes së strukturave ilegale, dhe sidomos i integrimit në strukturat tona është vonuar me këtë justifikim, ka thënë Kuçi.
Është e vërtetë se këto çështje paraqesin mundësi për justifikim, për shtyrje të implementimit të marrëveshjes nga pala serbe. Por secili ka vërejtur përkushtimin tonë për ta respektuar marrëveshjen dhe të gjitha palët e dinë se ne jetojmë në një shtet demokratik ku duhet të respektohen procedurat ligjore e kushtetuese në secilin rast, e edhe kur kemi të bëjmë me marrëveshje ka shtuar më tej Kuçi.