E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosove ratifikimi i marreveshjes te enjten

Ratifikimi i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë pritet të dalë për shqyrtim në seancën e të enjtes në Kuvendin e Kosovës.

Koalicioni qeverisës të enjten pritet të ketë mbështetjen edhe të partisë më të madhe opozitare në Kuvend, Lidhjes Demokartike të Kosovës. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka konfirmuar se partia e tij e mbështet ratifikimin e marrëveshjes duke e cilësuar atë si një hap të mirë në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve midis dyja vendeve. “Lidhja Demokratike e Kosovës e ka përkrahur marrëveshjen e cila është trajtuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Po ashtu, LDK do ta ratifikojë këtë marrëveshje në Kuvend sepse e konsiderojmë si një hap të rëndësishëm i stabilizimit të gjendjes në Kosovë dhe përmirësimit të marrëdhënieve me Serbinë”, ka thënë Mustafa. Për ratifikimin e Marrëveshjes, qeveria dhe partitë e koalicionit do të kenë mbështetjen edhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e cila është pjesë e procesit përmes nënkryetarit Blerim Shala, si koordinator i negociatave. Gjithashtu, marrëveshja përkrahet edhe nga partitë e pakicave, çka e bën më të lehtë realizimin e synimeve të qeverisë për ratifikimin, pasi që kjo procedurë kërkon dy të tretat e votave të deputetëve, gjegjësisht 80 vota për. Seanca e jashtëzakonshme nga PDK-ja ishte kërkuar që të thirret para takimit të radhës ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç që do të mbahet më 20 qershor në Bruksel me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane Catherine Ashton. / Top Channel

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›