Kozeli: ARRSH do të ndërhyjë për zgjidhje të qëndrueshme në aksin Tepelenë-Gjirokastër

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Drejtori i Autoriteti Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, inspektoi sot nga afër aksin rrugor Tepelenë-Gjirokastër, i shoqëruar nga drejtori Rajonal i ARRSH-së, Andi Shkurta, për të vlerësuar situatën e krijuar pas shkarjes së dherave në këtë segment.
Inspektimi u fokusua në zonën e njohur si “Shkalla e Zezë”, ku tre ditë më parë një rrëshqitje masive dheu bllokoi plotësisht qarkullimin rrugor.
Pas ndërhyrjes së menjëhershme të ARRSH-së dhe mjeteve të kontraktorit, u bë e mundur hapja e përkohshme e rrugës dhe garantimi i kalimit të mjeteve.
Aktualisht, qarkullimi në këtë aks kryhet me një kalim të alternuar, pasi rrëshqitja vijon të jetë aktive dhe paraqet rrezikshmëri.
Kreu i ARRSH-së, Kozeli bëri të ditur se shkaku kryesor i situatës lidhet me reshjet e shumta, erozionin dhe formacionin gjeologjik argjilor të zonës.
Sipas tij, situata do të mbahet në monitorim të vazhdueshëm.
“Menjëherë pas kalimit të situatës së emergjencës, ARRSH do të ndërhyjë në të gjithë aksin me një projekt të plotë, me qëllim dhënien e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe afatgjatë për këtë segment rrugor”, tha Kozeli. /j.p/