Kozeli: Tuneli i Llogorasë u bllokua për 20 minuta për shkak të punimeve në rrugët lidhëse

TIRANË, 14 shkurt /ATSh/ Drejtori i përgjithshëm i Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARrSh), Ami Kozeli, bëri të ditur sot se bllokimi i përkohshëm i tunelit të Llogorasë gjatë mesditës u krye në kuadër të masave të sigurisë për punimet që po zhvillohen në rrugët lidhëse të tij.
Në një prononcim për mediet, Kozeli sqaroi se shpërthimi i kontrolluar u realizua rreth orës 12:30, në koordinim me Policinë e Shtetit, e cila asistoi edhe në menaxhimin e qarkullimit të mjeteve.
Sipas tij, bllokimi i aksit zgjati rreth 20 minuta dhe u ndërmor për shkak të punimeve që po kryhen prej muajsh në dalje të tunelit, në segmentin që lidh daljen në anën e Palasës me kryqëzimin e rrugës së re Palasë–Dhërmi.
“Punimet po zhvillohen në terren të vështirë, çka ka sjellë nevojën për shpërthime të kontrolluara. Ky ishte rasti i sotëm dhe u realizua në koordinim të plotë me Policinë e Shtetit. Nuk ka pasur asnjë ndikim nga kushtet atmosferike”, u shpreh Kozeli.
Ai bëri të ditur se parashikohen edhe 5 deri në 6 shpërthime të tjera të kontrolluara në vijim, sipas ecurisë së punimeve.
Sipas Kozelit, punimet përfshijnë zgjerimin e aksit ekzistues, si dhe ndërtimin e një segmenti të ri prej rreth 600 metrash, ndërsa rehabilitimi i rrugës ekzistuese shtrihet në një gjatësi prej rreth 1 kilometër nga dalja e tunelit në anën e Palasës, deri në kryqëzimin me rrugën e re Palasë-Dhërmi.
Sipas kreut të ARrSh-së, punimet po ecin me ritme të shpejta dhe parashikohet të përfundojnë në fund të muajit qershor. Në kontratë, theksoi Kozeli, parashikohet që punimet të mbyllen në mesin e muajit gusht.
Me perfundimin e këtyre shpërthimeve do të vijojnë ndërhyrjet për mbrojtjen e skarpatave dhe vendosjen e sinjalistikës rrugore.
Kozeli theksoi se rruga është e sigurt për qarkullim dhe se çdo ndërhyrje po kryhet duke respektuar standardet e sigurisë.
/r.e/