Kozeta Zavalani rrëfen jetën në emigracion pas ’97-ës, nga gazetarja në ekran te pastrimi i shtëpive në Greqi

Kozeta Zavalani, autore dhe gazetare, ndau një histori personale nga jeta e saj, kur pas vitit 1997 u largua drejt Greqisë dhe nisi të punonte si pastruese nëpër shtëpi.
E ftuar në emisionin “Rudina”, ajo rrëfeu vështirësitë e asaj periudhe, një episod që e lëndoi emocionalisht, por edhe mënyrën se si arriti të kursente dhe të ndërtonte sigurinë e saj financiare.
Pasi la ekranin në vendin tonë, nisi një jetë të re në emigracion, larg profesionit të gazetares. Një ditë, vëllai i saj i vogël e filmoi teksa pastronte kangjellat e ballkonit dhe bëri një koment për ndryshimin e madh në jetën e saj.“Do të kujtoja, pas ’97-ës, shkova në Greqi dhe fillova punë si çdo grua, që punon pastruese nëpër shtëpi. Lash ekranin këtu. Vëllai i vogël kishte filmuar duke pastruar unë kangjellat e ballkonit edhe tha: Shiko ç’ka dhënë televizioni shqiptar, gazetarja iku nga lajmet edhe po pastron shtëpitë e grekëve.
Unë qaj, si qahet, sa më thotë mamaja e shkretë: Po jo m, s’bën shaka ai. Nuk u mësove me tët vëlla që bën shaka?”, tha ajo.Pavarësisht dhimbjes që i shkaktoi ky moment, Zavalani shpjegoi se puna në Greqi i dha mundësinë të kursente para dhe të përmirësonte gjendjen e saj ekonomike. Pas kthimit në Shqipëri, ajo arriti të blinte mobiliet e shtëpisë dhe të hapte librezën e saj të parë të kursimit në vitin 1998.
“Vërtet që qava për këtë fakt, por kur merrja lekët pastaj u ktheva në Shqipëri, bleva kolltuqet që i kam ende edhe hapa librezën e parë. Librezën e kursimit e kam hapur në ’98-ën. Me ato kursime kam mundur të udhëtoj, pa përjashtuar privilegjet që kam pasur si një ndër pjesëmarrëset e Rrjetit Botëror të Grave, që kam shëtitur në vende të ndryshme të botës”, tha ajo.