Krahina e Kolonel Bunkerit
Pse elitat turbonacionaliste në Kosovë dhe kuazi-imperialiste në Shqipëri ua konfuzionojnë ndjenjën e identitetit kosovarëve, duke e trajtuar Kosovën si krahinë të përjetshme, herë të Serbisë (Krahina jugore e Serbisë) e Jugosllavisë e herë të Shqipërisë, dikur si Shumadia e Vojvodina, e tashti, ta zëmë si Mirdita ose Labëria!?
Nga Halil Matoshi
Ra ky mort e u pamë ishte titulli më sinjifikativ i një libri të Ismail Kadaresë për Kosovën ku fliste për lidhjen e autorit me Kosovën dhe njerëzit e saj, gjatë luftës.
Sipas këtij autori për tua njohur virtytet dhe behanet kosovarëve, duhet një mort a gjëmë e madhe. Dymbëdhjetë vjet më vonë, në përkujtimin e një morti (përvjetori i rënies së ushtarit qytetar, Agim Ramadani) erdhi në Kosovë ish-presidenti shqiptar Alfred Mojsiu dhe duke synuar të zërë vend në panteonin e të pavdekshmëve si patriot historik, në vazhdën e Rilindjes Kombëtare, ua kafshoi shpirtrat kosovarëve, ende me plagë nëpër trup e mendje, pra në mort, duke ua thënë atë që ende vazhdon tua thotë Serbia, të jenë një krahinë e thjeshtë e Shqipërisë, siç është ta zëmë Mirdita ose Labëria!?
Nuk mund të ketë rende qytetarie në komb. D.m.th., qytetarët e rendit të parë në komb, na qenkan ata, pra pronarët e historisë dhe shtetit shqiptar dhe këta, d.m.th. qytetarët e rendit të dytë në komb, krahinorët ose kosovarët. Rendet qytetare në komb e thyejnë kohezionin kombëtar përfundimisht.
O.K. po e zëmë se Kosova qenkësh e tillë, krahinë, pse Kolonel Bunkeri (sipas filmit të Kujtim Çashkut), alias Mojsiu edhe pse oficer i ushtrisë shqiptare, nuk mund ta jepte asnjë argument se Shqipëria ka bërë diçka serioze për ta rikthyer këtë krahinë të shkelur e të përdhosur, për një shekull me radhë. Krejt deri në intervenimin humanitar të NATO-s, pas luftës çlirimtare, në të cilën, më shumë kishte vullnetarë të huaj (gjermanë, belg, britanikë, holandezë etj.) se sa vullnetarë nga Shqipëria. Kam mirëkuptim për projektimin e dëshirave të njerëzve, por është skajshmërisht e padrejtë, moralisht dhe historikisht, të trajtohet një shtet i pavarur edhe ligjërisht (pas 17 shkurtit 2008 dhe verdiktit të GJND-së) si një krahinë e Shqipërisë.
Kosova krahinë e Shqipërisë është tezë johistorike, jashtë rezonit shtetëror, madje edhe fyese, për më tepër, tezë kuaziimperialiste. Çështja e Kosovës historikisht ka qenë më shumë se çështje territoriale mes Shqipërisë dhe Serbisë, pra më shumë se çështje e një pakice etnike. Kosova ishte çështje e pazgjidhur nacionale dhe koloniale, ndonëse mori një zgjidhje jashtë kontekstit kolonialist. Kosova ka qenë çështje demokratike dhe e të drejtave të dhunuara sistematikisht e me terror shtetëror, prandaj e ka arritur shtetin kombëtar, (pavarësi zhdëmtuese, Marc Weller), shtetin e një kombi të lindur nga konflikti.
Kur këto ditë u zgjodh presidentja e shtetit, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, thirri deputetët që të ngriheshin në këmbë për ta nderuar siç u shpreh ai, fjalëpërfjalshëm, himnin kombëtar. U ngritën të gjithë, edhe serbët, pos lëvizjes Vetëvendosje që e kishte lëshuar seancën. Himni kombëtar natyrisht që ishte pjesa e adaptuar nga Oda e gëzimit, sepse një shtet i pavarur ska himn tjetër pos atij kombëtar, natyrisht. Dhe turbopatriotët heshtën. Shumica e shqiptarëve nuk dinë ta bëjnë dallimin e nocioneve komb dhe shtet, etni, popull dhe komb, sepse janë të konfuzionuar nga vetë termi që përdorin për kombin. Së pari termin komb/kavm e solli nga arabishtja në mendësinë shqiptare Sami Frashëri, kavm që i shkon nocionit të uma-së (xhematit), pra një kategori që në rend të parë lidhet me fenë islame e tek pastaj ka konotime të një shoqërie politike. Kurse termat oksidentalë nation dhe nationalite (burimisht që të dy termat vijnë nga latinishtja, nasci që d.m.th. nocioni i lindjes) shprehin shoqëritë politike të vullnetit qytetar dhe në Perëndim, njëkohësisht shprehin edhe shtetin, pra kombi është shkrirë me shtetin. Sipas Jacques Maritainit, si çdo komunitet edhe kombi është pa krye, ai ka elita dhe qendra influence, por jo ndonjë kryetar apo autoritet qeverisës, ka struktura por jo forma racionale ose organizata juridike, ka pasione dhe ëndrra, por jo një të mirë të përbashkët, ka solidaritet ndërmjet anëtarëve të tij, besnikëri e nder, por jo miqësi qytetare, ka zakone e doke por jo norma e rend zyrtar. Për këto kujdeset shteti, i cili krijon një komb për ta ruajtur vullnetin e tij për ta vijuar ekzistencën e përbashkët, pra për ta krijuar dhe ligjëruar miqësinë qytetare, pa të cilën nuk mund të ekzistojë shteti.
Së dyti, historiografia dhe shkencat shoqërore të interpretuara ideologjikisht te shqiptarët e kanë marrë në mënyrë jokritike definicionin e Stalinit për kombin. Maritain e thotë krejt të kundërtën, kombi nuk bëhet shtet. Shteti bën që të ekzistojë kombi. Nuk mund ta bëjë kombi shtetin sepse kombi nuk është kategori kushtetuese, pra është komunitet pa ligje, por shteti e konstituon kombin përmes miqësisë qytetare dhe të mbështetur në ligj.
Identiteti kosovar, një identitet i etabluar kulturalisht, territorialisht, gjuhësisht dhe historikisht apo identitet thjesht krahinor?
Shteti unik shqiptar është vetëm një prononcim politik, sepse edhe po të bëhej me referendum (me vullnetin e shumicës së qytetarëve nga të dyja anët) do të duhej të gjendeshin modalitete bashkëjetese në shtet, një lloj unioni ose federalizmi. Qytetarët e dyja vendeve mund të bashkohen siç mund edhe të jetojnë si dy shtete të veçanta, por çfarëdo që të jetë e ardhmja e dy shteteve, kosovarët kurrë sdo të pranojnë të jenë thjesht krahinë e kujtdo qoftë. Është e papranueshme lehtësia e padurueshme me të cilën flet dikush në Prishtinë dhe dikush në Beograd e Tiranë për ndarjen e Kosovës mes Serbisë dhe Shqipërisë, sepse shumë breza kosovarësh e kanë përjetuar tashmë trishtimin e të jetuarit si refugjatë, në çadra, diku në Fushë-Krujë, së voni në Bllacë ose nëpër krahina shqiptare. Ardian Vehbiu shkruante këto ditë për hiletin e ndërrimit të etnisë nga shqiptarët në Jug me atë greke dhe në Prizren me atë turke, si ndjenjë e refuzimit të përkatësive shtetërore (shtetet e dobëta.)
Sipas tij, dy shtetet përkatëse nuk po u ofrojnë asgjë për qenësinë shqiptare, për ta mbajtur atë me krenari. Është e drejtë legjitime e popujve të ndahen e të ribashkohen, në bazë të vullnetit të tyre politik dhe në bazë të interesave kombëtare dhe në këtë rrafsh Kosova një ditë mund të bashkohet me Shqipërinë. Por duhen krijuar disa parakushte, që konsistojnë me raportet ndërkombëtare të forcave, sepse nuk kanë vetëm shqiptarët interesat e tyre, por interesat në rajon dhe më gjerë në Europë dhe botë janë të ndërvarshme.
Së pari, po të ishte Shqipëria një shtet i fuqishëm dhe me standarde demokratike e mirëqenie, Kosova nuk do të vinte fare në këso situate, që të nisë një rrugë vetjake për pavarësi dhe shtet kombëtar. Do ti hidhej në përqafim që moti. Prandaj, për një bashkim të mundshëm, dy shtetet duhet krijuar dhe ndarë vlerat e përbashkëta evropiane.
Sot nuk do dhe nuk mund askush ta paguajë koston që ti prishë nja pesë shtete ballkanike (Greqinë, Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Kosovën) për ta ribërë një, Shqipërinë me krahinat e saj. Derisa Sali Berisha erdhi për kafe në Prevallë dhe lëshoi prononcime politike për bashkim-kombëtar e për Shqipëri natyrale, me gjasë pasi i ra shkalla emotive në normale, e dërgoi ministrin e tij të jashtëm dhe zëvendëskryeministër Edmond Haxhnasto në Prishtinë për tu thënë etnonacionalistëve boll ma!
Mos e dëmtoni veten dhe neve!?
Takohemi e rrimë si kushërinjtë, në Bruksel!
Por mesazhin nuk e kuptoi drejt askush.
(vijon nesër)<