E Hënë, 2 Nëntor 2026

Krasitja dimërore e pemëve frutore, specialistët këshillojnë të bëhet kujdes edhe në plehërimin e tokës

Në parcelat me pemë frutore në qarkun e Kukësit fermerët, po bëjnë krasitjen dimërore të pemëve dhe përgatitjen e tokës, një proces i rëndësishëm që ndikon drejtpërdrejt në prodhimin e sezonit të ardhshëm, pavarësisht kushteve jo të favorshme të motit.

Sipas specialistëve të bujqësisë, krasitja dimërore, e cila zakonisht zhvillohet gjatë këtij muaji, është një fazë kyçe për zhvillimin e shëndetshëm të pemëve frutore dhe rritjen e rendimentit.

Krahas krasitjes, fermerët po vijojnë edhe me mbjelljen e fidanëve të rinj, proces që sipas specialistëve duhet të përfundojë deri në fund të muajit shkurt.

Mbjellja në këtë periudhë ndihmon përshtatjen më të mirë të fidanëve dhe zhvillimin e rrënjëve para nisjes së procesit vegjetativ. Një tjetër element i rëndësishëm është punimi i tokës dhe përdorimi i plehut organik, thelbësor për ushqimin e kulturave frutore.

Këto procese bujqësore janë vendimtare për mbarëvajtjen e sezonit të ardhshëm, duke ndikuar si në cilësinë ashtu edhe në sasinë e prodhimit frutor.

Gazetare: Sh. Elezaj  

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›