E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi: Edhe me forcë kundër zgjedhjeve serbe

Jakup Krasniqi

Kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, në një intervistë dhënë RTV 21, ka deklaruar se për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, duhet të përdoret edhe forca.

Ai tha se Rezoluta e miratuar në Kuvend, e cila kundërshton mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës, ka kryer vetëm punën e Kuvendit, ndërkaq për pengimin e tyre duhet të merren edhe BE e SHBA.

Rezoluta është bërë në marrëveshje me subjektet politike. Kuvendi e ka kryer obligimin e tij dhe është pjesa tjetër e ekzekutivit që duhet të ndërmarrë masat për pengimin e zgjedhjeve serbe në atë pjesë të Kosovës. Por, pasi që bisedimet mes Prishtinës e Beogradit deri më tash janë zhvilluar nën mbikëqyrjen e Brukselit dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në një formë ose në një tjetër, janë të obliguar edhe Brukseli edhe SHBA-të që të bëjnë një presion pozitiv mbi Serbinë që të respektojë marrëveshjet e arritura, ka thënë Krasniqi.

I pyetur nëse kjo Rezolutë e Kuvendit e obligon Qeverinë e Kosovës që të përdorë edhe forcën për të ndaluar mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, Krasniqi ka thënë se edhe kjo gjë parashihet në të.

Rezoluta e obligon qeverinë që të pengojë çdo veprim të paligjshëm që bie ndesh me Kushtetutën dhe me ligjet në Kosovë. Natyrisht se kjo nënkupton edhe përdorimin e forcës, ka theksuar Krasniqi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›