Kredia për ekonominë, rritje dyshifrore në 10 muajt e fundit

TIRANË, 26 nëntor /ATSH/ Sektori bankar vazhdon të mbajë ritme të qëndrueshme rritjeje, duke dhënë 342 miliardë lekë kredi për ekonominë gjatë 10-mujorit të vitit 2025, një rritje prej 11,1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, bizneset kanë përfituar 226,7 miliardë lekë kredi të reja, ndërsa kredia për individët ka shënuar një rritje të ndjeshme prej 23,3%, duke arritur 105,6 miliardë lekë.
Financimi për individët mbulon kryesisht blerjen e pasurive të paluajtshme dhe konsumit, duke reflektuar një rritje të besimit në ekonomi, ndërsa biznesi është financuar kryesisht për zgjerimin e investimeve.
BSH-ja bën të ditur se, totali i kredisë për ekonominë ka arritur në mbi 906 miliardë lekë, me një rritje 4,3 miliardë lekë krahasuar me muajin shtator 2025, duke ruajtur ritme dyshifrore me bazë vjetore prej 11,5%.
Erald Themeli, drejtor i politikave monetare në BSH, u shpreh pak ditë më parë në lidhje me treguesit pozitivë të ekonomisë, se “trendi në rritje i kreditimit për ekonominë tregon jo vetëm fuqizimin e biznesit dhe konsumatorëve, por edhe stabilitetin e tregut financiar shqiptar, që vijon të ofrojë likuiditet të mjaftueshëm dhe kushte favorizuese për kreditim”.
/j.p/r.e/