E Martë, 3 Nëntor 2026

Kredia për shtëpi, Shehu: Nivelet e reja adresojnë proporcionalisht rrezikun

TIRANË, 30 maj /ATSH/ Nga 1 korriku 2025 nis zbatimin rregullorja e re e Bankës së Shqipërisë, për mënyrën se si 11 bankat tregtare në vend, do të japin kredi për blerjen e një banese.

Klodion Shehu, drejtori i Departamentit të Stabilitetit Financiar në një intervistë televizive, u shpreh se vendimi i Bankës së Shqipërisë, për vendosjen e disa nivele kufi të sipërm për kreditë e të reja për pasuri të paluajtshme, bën që bankat e nivelit të dytë të jenë të vëmendshme.

Sipas Klodion Shehut, aktualisht nuk ka një shqetësim akut për Bankën e Shqipërisë në lidhje me tregun e pasurive të paluajtshme dhe në ekspozimet e bankave në këtë sektor, por rrezikojmë të futemi në një cikël që mund të jetë shqetësues më vonë, prandaj merren masa.

“Tregu i pasurive të paluajtshme është shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të një vendi dhe për stabilitetin financiar të tij. Ekziston mundësia që në këto kushte optimizmi të aktorëve të tregut të kemi një cikël vetëpërmbushës ku rritja e kredisë mbështet rritjen e çmimeve të pronës dhe shtrenjtimi do të thotë më shumë kredi në këmbim”, tha ai, teksa theksoi se “nuk jemi aktualisht në një shqetësim akut për Bankën e Shqipërisë në lidhje me tregun e pasurive të paluajtshme dhe në ekspozimet e bankave në këtë sektor, që janë të kujdesshme dhe zhvillimet janë shumë pozitive”.

Sipas tij, rregullorja e re përcakton raporti tavan të kredisë ndaj vlerës në monedhën lekë  të jetë 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë, ndërsa në valutë të huaj 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë.

Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave për kreditë në lekë do të jetë në nivelin 40% për shtëpinë e parë dhe 35% për shtëpinë e dytë. Në valutë të huaj, niveli tavan do të jetë 35% për shtëpinë e parë dhe 30% për shtëpinë e dytë. “Këta kufij marrin në konsideratë dhe janë përshtatur për të adresuar në mënyrë proporcionale rrezikun, në varësi të tipit të pronës dhe monedhës në të cilën jepet kredia”, tha ai. Shehu deklaroi se, “zbatimi i këtyre kufijve do të mundësojë uljen e rrezikut të dështimit të kredimarrësve dhe pakësimin e humbjeve bankare të lidhura me këto kredi, nëse vendi do të përballej me zhvillime të pafavorshme në çmimet e pronave të paluajtshme apo normave të interesit, etj”. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›