Kreditë me probleme zbresin në 3,7%, niveli më i ulët në 15 vjet

TIRANË, 24 shtator/ATSH/ Sektori bankar e mbylli gjysmën e parë të vitit 2026 me përmirësim të cilësisë së portofolit të kredisë, ndërsa raporti i kredive me probleme zbriti në 3,7%, niveli më i ulët i regjistruar në 15 vitet e fundit.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, përmirësimi është evidentuar në disa segmente të portofolit, veçanërisht në kreditë afatshkurtra, kreditë e dhëna në lekë dhe financimin për bizneset.
Në fund të qershorit, kreditë me probleme në total arritën në rreth 37 miliardë lekë. Pesha e kredive të kategorisë “të humbura” u reduktua në 44%, nga 47% në fund të vitit të kaluar dhe keditë e klasifikuara “nën standard” përbënin 41% të këtij portofoli në fund të qershorit, nga 34% në fund të vitit 2025.
Gjatë gjashtëmujorit të parë, bankat nxorën jashtë bilanceve rreth 5 miliardë lekë kredi. Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo vlerë ishte 6% më e ulët se në të njëjtën periudhë të vitit 2025, ndërsa kreditë e fshira ishin kryesisht në lekë dhe i përkisnin segmentit të biznesit.
Banka e Shqipërisë sqaron se fshirja e kredive të humbura nga bilancet është një veprim kontabël, që ndikon në uljen e raportit të kredive me probleme dhe nuk krijon efekt financiar shtesë.
/e.xh/j.p/r.e/