Krerët më të lartë kanë uruar popullin amerikan për Ditën e Pavarësisë

Krerët më të lartë të vendit kanë uruar popullin amerikan për 4 korrikun- Ditën e Pavarësisë së tyre. Kjo datë shënohet sot me aktivitete të ndryshme edhe në Kosovë.
Liderët e institucioneve të Kosovës, kanë uruar SHBA-në në ditën më të rëndësishme të tyre. Fillimisht popullin dhe shtetin amerikan me rastin e 4 korrikut e uruar me një telegram kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi.
“Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës na kujton vlerat dhe historinë e vendit tuaj, të cilat kanë ndikim në zhvillimin e demokracisë, humanitetit dhe lirisë të përgjithshme të popujve në mbarë botën. SHBA-ja në çdo periudhë historike ka mbrojtur popujt liridashës, në mesin e të cilëve edhe popullin e Kosovës, duke na ndihmuar në realizimin e ëndrrës sonë të lirisë dhe pavarësisë. Edhe në periudhën e tanishme, SHBA-të po vazhdon të luajnë rolin kryesor mbështetës për proceset e zhvillimit të qëndrueshëm dhe integrimit të shtetit të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në urimin e kryeministrit Thaçi.
Ndërsa, edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka përcjell urimet më të sinqerta për popullin amerikan.
“Duke vlerësuar lart marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe parlamenteve tona, shpreh bindjen se ato do të thellohen dhe zgjerohen në vazhdimësi. Me këtë rast, dëshiroj edhe njëherë t’ju siguroj për vullnetin dhe dëshirën tonë për bashkëpunim midis Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në urimin e kryetarit të Parlamentit Jakup Krasniqi.
Telegrame urimi për shënimin e Pavarësisë së SHBA-së, kanë dërguar edhe partitë e tjera politike në vend.
Ndërkaq, në Kosovë kjo ditë shënohet me aktivitete të ndryshme: Oda Ekonomike Amerikane në bashkëpunim në bashkëpunim me komaninë Coca Cola Hellenic kanë organizuar maratonën e fëmijëve. Kurse, në mbrëmje Kuvendi Komunal i Prishtinës do të organizojë një koncert solemn me estradën kosovare, i cili do të transmetohet edhe nga RTK-ja. /Indeksonline/