Kreta përballet me pasojat e motit të keq. Përmbytje, rrëshqitje dheu dhe dëme të mëdha në infrastrukturë e bujqësi

Kreta po përballet me pasojat e një vale të fuqishme moti të keq, e cila prej katër ditësh ka sjellë reshje intensive, përmbytje, rrëshqitje dheu dhe dëme të konsiderueshme në infrastrukturë dhe bujqësi.
Situata mbetet veçanërisht e vështirë në zonat malore të ishullit, ndërsa autoritetet dhe ekipet e emergjencave vijojnë ndërhyrjet për përballimin e pasojave.
Në Zonianá, rreth 30 persona u evakuuan nga banesat e tyre, për shkak të sasive të mëdha të ujit në zonë. Probleme të mëdha janë shënuar edhe me furnizimin me ujë. Rreth 2,500 banorë në Zonianá, Livádia dhe Krána kanë mbetur pa ujë, pasi një pjesë e rrjetit të ujësjellësit është dëmtuar.
Gjendja mbetet kritike në zonën malore të Mylopotamos, ku mekanizmat shtetërorë vijojnë të jenë në gatishmëri.
Një nga zonat më të goditura është Rrafshnalta e Lasithit, ku prodhuesit bujqësorë përballen me dëme të mëdha. Sipas vlerësimeve të para, dëmet në prodhimin e patateve dhe perimeve tejkalojnë 80%. Pamjet nga ajri kanë treguar përmasat e përmbytjeve, me sipërfaqe të mëdha bujqësore dhe rrugë të mbuluara nga uji.
Probleme serioze janë regjistruar edhe në Amari, ku bashkë me sasitë e mëdha të ujit nga zonat malore kanë zbritur shkëmbinj dhe materiale të tjera, duke dëmtuar rrugët dhe vështirësuar qarkullimin. Situata të ngjashme janë raportuar në Anogia dhe në zonat përreth.
Një nga të dhënat më të pazakonta lidhet me reshjet në zonën e Grykës së Samarisë. Sipas matjeve të stacioneve meteorologjike, nga mëngjesi i së premtes deri pasditen e së shtunës janë regjistruar deri në 420 milimetra reshje brenda 42 orëve.
Sipas drejtorit të kërkimeve në Observatorin Kombëtar të Athinës, K. Lagouvardos, kjo sasi është e krahasueshme me reshjet mesatare që regjistrohen në Athinë gjatë një viti të plotë.
Ndërkohë, tetë punonjës kanë mbetur të bllokuar në Grykën e Samarisë, ndërsa ekipet e shpëtimit po vijojnë përpjekjet për t’u ardhur në ndihmë.
Në zonën e Profiti Ilia, në Heraklion, janë raportuar dëme të konsiderueshme, përfshirë edhe dëme në blegtorinë e zonës.
Të prekura rëndë janë edhe rrugët rurale, rrjetet e ujitjes dhe furnizimit të prodhuesve, si dhe vreshtat. Aktiviteti i vreshtarisë ka pësuar një goditje të fortë dhe vlerësimi i plotë i dëmeve është ende në proces.
Ndërkohë, autoritetet vijojnë monitorimin e situatës në të gjithë ishullin, ndërsa pritet që kushtet e motit të ndryshojnë gjatë orëve të pasdites.
/rtsh.al/