E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i Grupit të PD: Sulmi i Ramës ndaj News24 është një medalje për këtë televizion, që zgjedh të qëndrojë në krah të interesit publik dhe jo në shërbim të interesave korruptive Ballukut dhe….

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas sulmit të kryeministrit Edi Rama ndaj televizionit News24, duke e cilësuar atë si një vlerësim për median që zgjedh të qëndrojë në krah të interesit publik.

gazment bardhi kuvend

“Sulmi i Edi Ramës ndaj News24 është një medalje për këtë televizion, që zgjedh të qëndrojë në krah të interesit publik dhe jo në shërbim të interesave korruptive të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut”, shprehet Bardhi.

Bardhi ngre gjithashtu shqetësimin për sjelljen e punonjësve të Policisë së Shtetit ndaj gazetarëve të News24, të cilët janë penguar të ushtrojnë detyrën e tyre. Ai thekson se uniforma e shtetit nuk është mburojë për arbitraritetin dhe as licencë për të shkelur të drejtat e gazetarëve.

“Shprehja “Më plasi mua që je gazetar!” nuk është gjuha që pritet nga një punonjës i Policisë së Shtetit. Është shprehje përçmimi ndaj ligjit, ndaj lirisë së medias dhe ndaj qytetarëve që kanë të drejtë të informohen”, shkruan ai.

Ai kërkon që çdo përpjekje për të frikësuar, intimiduar apo penguar gazetarët të marrë përgjigje institucionale dhe ligjore, ndërsa shton se “Shteti nuk mund të sillet si pronë private e kryeministrit”.

Reagim i Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi

Sulmi ndaj medias është i papranueshëm dhe cenon drejtpërdrejt lirinë e fjalës dhe të drejtën e publikut për t’u informuar.

Sulmi i Edi Ramës ndaj News24 është një medalje për këtë televizion, që zgjedh të qëndrojë në krah të interesit publik dhe jo në shërbim të interesave korruptive të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut.

Por është edhe më e rëndë kur retorika armiqësore e kryeministrit ndaj medias reflektohet në terren përmes sjelljeve arbitrare dhe veprimeve të paligjshme të punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët pengojnë gazetarët e News24 të ushtrojnë detyrën e tyre.

Shprehja “Më plasi mua që je gazetar!” nuk është gjuha që pritet nga një punonjës i Policisë së Shtetit. Është shprehje përçmimi ndaj ligjit, ndaj lirisë së medias dhe ndaj qytetarëve që kanë të drejtë të informohen. Uniforma e shtetit nuk është mburojë për arbitraritetin dhe as licencë për të shkelur të drejtat e gazetarëve.

Policia nuk është pronë e qeverisë dhe media nuk është zgjatim i pushtetit. Detyra e policisë është të zbatojë ligjin, jo të bëhet instrument presioni ndaj gazetarëve. Detyra e medias është të informojë publikun, jo të kërkojë leje nga pushteti për të bërë punën e saj.

Çdo përpjekje për të frikësuar, intimiduar apo penguar gazetarët duhet të marrë përgjigje të qartë institucionale dhe ligjore.

Liria e medias nuk negociohet. Gazetarët nuk kërcënohen. Shteti nuk mund të sillet si pronë private e kryeministrit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›