Kreu i SPAK: Kemi bërë përparim në goditjen e krimit të organizuar. Bashkëpunimi ndërkombëtar, kyç

Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Klodian Braho, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në hetimin dhe goditjen e krimit të organizuar.
Gjatë fjalës së tij në Konferencën e 42-të të FBINAA European Chapter, që po zhvillohet në Tiranë, Braho tha se ky bashkëpunim përfshin edhe përgjegjësinë për të kontribuar në hetimet e partnerëve me të njëjtin seriozitet që pritet për hetimet në Shqipëri.
Ai shtoi se një informacion i siguruar në Shqipëri mund të ndihmojë në zbardhjen e një çështjeje jashtë vendit, ndërsa një provë e ardhur nga partnerët ndërkombëtarë mund të jetë vendimtare për një hetim në Shqipëri.
“Për SPAK, bashkëpunimi ndërkombëtar është pjesë thelbësore e punës. Në Shqipëri kemi bërë përparim në hetimin dhe goditjen e krimit të organizuar. Bashkëpunimi ndërkombëtar ka patur një rol të rëndësishëm në këtë proces. për SPAK, bashkëpunimi përfshinë edhe përgjegjësinë për të kontribuar në hetimet e partnerëve me të njëjtin seriozitet që presim hetimet tona. Një informacion që sigurojmë në Shqipëri mund të ndihmojë në zbardhjen e një çështje në vendin tuaj, një provë që vjen prej jush mund të jetë vendimtare për një hetim në Shqipëri”, tha Braho.
/rtsh.al/