Kreu i delegacionit rus në Stamboll: Duam të sigurojmë paqe afatgjatë me Ukrainën

Vladimir Medinsky, kreu i delegacionit të Rusisë në bisedimet e paqes për Ukrainën në Turqi, tha sot se qëllimi i Moskës është që të sigurojë një paqe të gjatë me Kievin duke kërkuar terren të përbashkët që nuk i çon në një konflikt të radhës.
Medinsky, i cili ndihmoi në udhëheqjen e bisedimeve të vitit 2022, të cilat dështuan tha se Rusia i konsideroi bisedimet e planifikuara në Stamboll si vazhdim i atyre bisedimeve të dështuara të vitit 2022.
“Ne i konsiderojmë këto negociata si vazhdim të procesit të paqes në Stamboll, i cili, për fat të keq, u ndërpre nga pala ukrainase tre vjet më parë” u tha Medinsky gazetarëve në Stamboll.
Nga ana tjetër, Kievi tha se termat që Rusia ofronte në vitin 2022 ishin të papranueshme dhe do të çonin në kapitullim.
“Bisedimet janë vendosur të jenë konstruktive, të japin një zgjidhje të mundshme dhe të krijojnë një terren të përbashkët. Detyra e negociatave të drejtpërdrejta me palën ukrainase është që herët a vonë të arrijmë paqen afatgjatë duke eliminuar shkaqet themelore të konfliktit”, u shpreh Medinsky.
Disa ditë pasi Presidenti rus Vladimir Putin dërgoi dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë në shkurt 2022, Rusia dhe Ukraina filluan bisedimet në Bjellorusi që më vonë u transferuan në Stamboll.
Bisedimet e vitit 2022 u ndërprenë në maj, por zyrtarët rusë kanë argumentuar prej kohësh se mund të arrihet një zgjidhje përgjatë vijave të Komunikimit të Stambollit.
Steve Witkoff, i dërguari special i presidentit Donald Trump, i është referuar gjithashtu draftit të vitit 2022 si një udhëzues të mundshëm për paqen e ardhshme.
/rtsh.al/