Krifca: Hapim thirrjen për Skemën Kombëtare të Trajnimit në Bujqësi!

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca njoftoi në rrjetet sociale hapjen e thirrjes për Skemën Kombëtare të Trajnimit në Bujqësi për fermerët dhe blegtorët që duan të përmirësojnë produktivitetin e tyre në fermë.
Programi i ndërtuar së bashku me Universitetin Bujqësor të Tiranës, synon ngritjen e fermave model në Shqipëri nëpërmjet përhapjes së teknikave më të mira të kulturave bujqësore e kafshëve blegtorale dhe rritjes së rendimenteve në serra, ara, pemëtore, stalla përmes transferimit të njohurive dhe ndjekjes së teknikave më të mira bujqësore e blegtorale.
Pedagogët e Universitetit Bujqësor të Tiranës prej disa kohësh ndjekin nga afër mbi 30 ferma.
Fermerët e përzgjedhur do të mund të shohin aplikimin në fermat e tyre të teknikave më të qëndrueshme të prodhimit dhe do të shërbejnë si ferma demonstruese për të gjithë fermerët e zonës, tha zonja Krifca.
/ rtsh.al /