E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Krifca me ministrin hungarez Nagy: Kompanitë hungareze, interes për investime në vajin e ullirit dhe peshkim

Shqipëria dhe Hungaria synojnë zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e bujqësisë midis dy vendeve, me fokus rritjen e investime, eksportin e vajit të ullirit dhe bashkëpunimin në fushën e peshkimit.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca në takim që zhvilloi në Tiranë me ministrin hungarez të Zhvillimit Ekonomik, Marton Nagy, vuri theksin në forcimin e partneritetit mes bizneseve të dy vendeve dhe krijimin e urave të reja të bashkëpunimit për  eksportin e vajit të ullirit dhe në fushën e peshkimit.

 “Ndamë së bashku vullnetin për të forcuar partneritetin dhe nxitjen e investimeve në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural”  u shpreh ministrja.

Kompanitë hungareze kanë paraqitur interes të investojnë në Shqipëri në këto dy sektorë ndaj ministrja Krifca i ofroi bashkëpunim të plotë ministrit Nagy.

Takimi mes dy ministrave u zhvillua në kuadër të vizitës zyrtare që  delegacioni hungarez  i kryesuar nga kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán, zhvilloi të premten në Tiranë, ku u prit nga Kryeministri Edi Rama dhe përfaqësues të qeverisë shqiptare.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›