Krijohet ‘Akademia e Pushtetit Vendor’ për rritjen e aftësive në administratat bashkiake

Qeveria shqiptare ka autorizuar Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor të negociojë dhe nënshkruajë një marrëveshje me njësitë e vetëqeverisjes vendore për krijimin e një entiteti të ri.
Ky person juridik, i quajtur “Akademia e Pushtetit Vendor”, do të shërbejë si një qendër trajnimi e vazhdueshme për të gjithë punonjësit e bashkive, nga kryetarët deri te stafi më i thjeshtë.
Qëllimi i Akademisë është të rrisë performancën profesionale të administratës vendore dhe të përmirësojë shërbimet ndaj qytetarëve, si dhe të ndihmojë në përmbushjen e funksioneve dhe kompetencave të tyre ligjore.
Financimi dhe funksionimi
Akademia, e cila do të funksionojë si një organizatë jofitimprurëse, do të financohet përmes një modeli të përbashkët. Qeveria do të mbulojë kostot fillestare të themelimit dhe jo më pak se 50% të kostove operacionale për tri vitet e para. Fondet do të sigurohen nga buxheti i Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore. Pjesa tjetër e kostove do të mbulohet nga vetë bashkitë.
Ministri përgjegjës për çështjet vendore do të marrë pjesë në komitetin drejtues të Akademisë, duke siguruar koordinimin me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA) për miratimin e programeve vjetore të trajnimit. Kjo hapësirë e re shërben si një hap i rëndësishëm në përgatitjen e administratës vendore për sfidat që lidhen me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
/rtsh.al/