Krim brutal në Hollywood, regjisori i nohur dhe gruaja e tij gjenden të vrarë në banesë! Autor dyshohet djali i tyre

Një krim i rëndë raportohet se ka ndodhur pasditen e së dielës në Los Anxhelos, me viktima regjisorin e njohur amerikan Rob Reiner dhe bashkëshorten e tij, Michelle.
Sipas mediave amerikane, çifti u gjet i therur për vdekje në banesën e tyre, ndërsa arma e krimit thuhet se është gjetur në vendngjarje.
Siç raporton revista People, si autor i dyshuar i vrasjes përmendet djali i tyre, Nick Reiner, i cili sipas burimeve kishte probleme me drogën dhe kishte jetuar për vite me radhë si i pastrehë. Nick ishte një nga djemtë e çiftit. Ata kishin gjithashtu një djalë tjetër, Jake, si dhe një vajzë, Romy. Reineri kishte edhe një vajzë tjetër, Tracy, nga një martesë e mëparshme.

Rob Reiner, 78 vjeç, dhe Michelle, 68 vjeçe, ishin martuar në vitin 1989. Më parë, regjisori kishte qenë i martuar me aktoren Penny Marshall nga viti 1971 deri në vitin 1981.
Rob Reiner ishte regjisor, producent dhe aktor amerikan, i lindur më 6 mars 1947 në Nju Jork. Ai e nisi karrierën si aktor, duke u bërë i njohur për publikun e gjerë përmes serialit të famshëm televiziv All in the Family. Nga vitet ’80, ai iu përkushtua regjisë, duke realizuar disa nga filmat më të suksesshëm të kinemasë amerikane.
Në filmografinë e tij përfshihen tituj të njohur si Stand by Me, The Princess Bride, When Harry Met Sally, Misery dhe A Few Good Men, duke spikatur për aftësinë për të kombinuar suksesin komercial me cilësi artistike dhe interpretime të forta.