E Hënë, 2 Nëntor 2026

Krimet zgjedhore – Pas Shkodrës, Dumani takim me task-forcën në Lezhë

Kreu i SPAK, Altin Dumani, zhvilloi një takim në Lezhë me task-forcën e ngritur për parandalimin dhe hetimin e krimeve zgjedhore për zgjedhjet e 11 majit. Në takim ishin të pranishëm prokurori i Lezhës, Arben Nika, si dhe drejtori i Policisë së Qarkut, me fokus tek adresimi i problematikave që lidhen me shitblerjen e votës dhe intimidimin e votuesve.

Ky takim vjen pas atij të zhvilluar në Shkodër, ku Dumani u takua me prokurorin Albert Murçaj dhe drejtorin lokal të policisë, për të diskutuar mbi ecurinë e hetimeve për denoncimet e bëra në këtë qytet.

Kreu i SPAK ka kërkuar përgjegjësi maksimale nga të gjitha institucionet përgjegjëse, duke theksuar rëndësinë e hetimit të çdo rasti të dyshuar për manipulim zgjedhor.

Ndërkohë, dy ditë më parë, prokurorë të SPAK dhe hetues të BKH-së zhvilluan një takim në Prokurorinë e Elbasanit, ku u dhanë udhëzime për mbikëqyrjen e procesit zgjedhor dhe identifikimin e personave të përfshirë në blerje votash apo presione ndaj votuesve.

Sipas një raporti të publikuar nga SPAK, deri më 8 maj janë regjistruar 123 raste të krimeve zgjedhore, nga të cilat 35 janë në fazë hetimi aktive.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›