E Hënë, 2 Nëntor 2026

Krishtlindjet e pakicës serbo-malazeze, kryhen ritet në kishën e “Shën Trinisë”

Si çdo vit tjetër, besimtarët ortodoksë të pakicës serbo-malazeze kremtuan festën e Krishtlindjes në kishën e “Shën Trinisë” në fshatin Vrakë të Malësisë së Madhe.

“Krishtlindja është festa më e rëndësishme e këtij komuniteti,” u shpreh kryetari i pakicës serbo-malazeze.

“Sot është dita më e rëndësishme e kishës ortodokse serbo-malazeze. E çuditshme, por gjithsesi shumë njerëz në Shqipëri nuk e dinë që ne na ka lindur mbrëmë Krishti. Është një fije lojë e përzier, por shpresojmë që do të unifikohet dhe do të festojmë së bashku,” tha Pavllo Jakoja, kryetar i shoqatës serbo-malazeze “Moraça-Rozafa”.

Më tej, z. Jakoja vlerësoi kushtet në të cilat jeton kjo pakicë në vendin tonë.

“Ne jetojmë këtu, sepse ndihemi më mirë këtu se kurrkund. Ne jemi plotësisht të integruar në jetën e brendshme të Shqipërisë, pothuajse si shqiptarë, sepse kemi lindur, jemi rritur, jemi arsimuar këtu,” u shpreh ai.

Në Vrakë ka pasur një komunitet të konsiderueshëm të pakicës serbo-malazeze, por vitet e fundit komuniteti është tkurrur si pasojë e emigrimit të popullsisë për një jetë më të mirë.

Gazetar: Marjo Gjini

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›