Krisma në det, lirohen të shoqëruarit/ Bllokohet jahti pranë Palasës, s’gjenden sende të kundraligjshme

VLORË- Katër personat e shoqëruar pas dyshimeve për të shtëna me armë nga një jaht pranë Palasës u lanë të lirë në mesditë. Pas ndalimit të 4 personave që ndodheshin në bordin e jahtit mbrëmë dhe pas marrjes së deklarimeve nga grupi i hetimit, Policia e Vlorës i liroi.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse ka patur përdorim të armës në det, pasi nga kontrollet e ushtruara në jaht, uniformat blu nuk kanë gjetur sende të jashtëligjshme. Policia u vu në ndjekje të mjetit lundrues, teksa ishin pushuesit në zonë ata të cilët njoftuan komisariatin për të shtëna me armë në ajër.
Pas të shtënave, Leonard Hasa, Bruno Çela, Afrim Kastrati e Pashk Gjini që ndodheshin në bordin e jahtit kanë tentuar të largohen në drejtim të bregut, por janë kthyer sërish drejt mjetit lundrues, pasi kanë parë Policinë.
Policia Kufitare, së bashku me Delta Force dhe FNSH-në, janë vënë në ndjekje të mjetit lundrues. Operacioni ka zgjatur rreth dy orë, deri në momentin kur jahti është ndaluar dhe më pas është shoqëruar drejt Porto Palermos, ku janë bërë kontrolle dhe verifikime lidhur me ngjarjen.
Ndërkohë, grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, përfshirë ekspertimet që do të përcaktojnë nëse ka pasur apo jo qitje me armë./abcnews.al