E Diel, 1 Nëntor 2026

Kristo Frashëri, rilindasi i parafundit

kristo frasheri

Nga Bledi Mane

Sa herë tu referohesh arkivave të historisë së vendit, ndalesa e parë që duhet të bësh mbetet komunikimi dhe këshillimi me euriditin e gjallë profesorin Kristo Frashëri. Fatkeqësisht akademikët klasikë Çabej, Xhuvani, Buda, Kuteli, Poradeci nuk jetojnë më por i fundit mes këtyre dishepujve jeton dhe punon aq shumë sa produktiviteti i tij le pa gjumë jo vetëm institucionet vegjetuese vendase por edhe klanet antishqiptare të mirëorganizuara. Pavarësisht çështjeve që mund të diskutosh me Kristo Frashërin, nuk has në të as ndjeshmëri dhe anësi tipike intime ballkanase. Nuk idhnohet pse një ortodoksit si ai i kërkohet pikërisht një opinion për ortodoksinë shqiptare dhe pa emocionet dalëboje të argumenton me fakte e prova edhe të kundërtën e lajmit që kërkon t’ia imponosh.

-Premti, Premeti, Përmeti-nga vjen origjina e emrit të qytetit tim të urtë dhe mistrec?-e pyes.

-Emrin e ka marrë nga Shën Premtja. Atë që romakët e thërrisnin Venera e shenjtë ose grekët e sotëm e quajnë Aghia Paraskebe (Parashqevia e shenjtë). Nuk ka asgjë latine apo helene në emërtimin e qytetit. Emri Përmet mbetet po aq i shenjtë dhe shqiptar sa vetë shenjtori simbol i ditës së premte-flet pa ekuivok profesori.

Ndërsa e ngacmoj për ortodoksin përmetar, stërgjyshin e violinistit Tedi Papavrami profesori shprehet:

-Lluka Papavrami në letërkëmbimin me Naim Frashërin gjatë vitit 1892 morri porosi nga rilindasi bektashi që i shkruante prej Stambollit të çelte në Përmet shkollën e parë shqipe dhe si fillim ta financonte vetë familja ortodokse Papavrami.

Vazhdoj bisedën për Kongresin e Manastirit ku mes dhjetra shqiptarëve fisnikë Përmeti u përfaqësua edhe me muslimanë edhe me ortodoksë. Mit’hat Frashëri, Thoma Avrami dhe Fehim Zavalani nuk shkuan atje me gërmat greke, arabe apo cirilike të vizatuara në kokë. Shkuan të mëvetësonin mentalisht dhe kulturalisht Shqipërinë e djegur-mban frymën profesori.

Dhe biseda shkon aty ku të dy në heshtje mezi presim “të shpërthejë”. Rrethi dhe qyteti i Përmetit ka një numër të madh kishash ortodokse. Me përjashtim të kishave ortodokse moderne të Këlcyrës, të Çarshovës dhe Manastirit të Grykës së Këlcyrës rreth 12 të tjera kanë një arkitekturë unike që fillojnë me atë bizantine të shekullit të XII-të deri në fillim të shekullit XVIII-të.

-Janë kanonike-ngre zërin profesori. Kanë pasur bekimin dhe aprovimin që nga Jeruzalemi, jo nga Athina!

-Në Përmet, qytetarë të ndryshëm do kërkojnë së shpejti një referendum ku do u kërkohet autoriteteve lokale dhe qëndrore që molla e sherrit të kafshohet përgjysmë. Një kishë me arkitekturën dhe përmasat e dikurshme të ngrihet në të njëjtin vend e krah saj të hedhë shtat edhe muzeu i munguar etnografik bashkë me një qendër kulturore-i tregoj profesorit.

-Harroje!-psherëtin Kristo Frashëri. Kompesoni kishën diku tjetër dhe atë pallat kulture rindërtojeni nga e para. Naim Frashëri na bëri të ndjehemi shqiptarë krenarë, katolikë krenarë, ortodoksë krenar, muslimanë krenarë, evropianë krenarë.

-Natën e mirë profesor!- e përshëndes unë. S’kam çfarë të them më tepër…

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›