Kritikoi Izraelin për luftën në Gaza, Tel Avivi refuzon vizitën e kryediplomatit evropian Josep Borrell

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka anuluar vizitën e tij të planifikuar në Izrael. Njoftimi vjen ndërsa Borrell zhvilloi një turne bisedimesh në Egjipt dhe Liban mbi tensionet aktuale rajonale mbi luftën e vazhdueshme të Izraelit në Rripin e Gazas.
Media izraelite Yedioth Ahronoth raportoi se Borrell vendosi të anulojë vizitën e tij në Tel Aviv pasi ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz refuzoi ta lejonte atë. Borrell njoftoi planet e tij për të vizituar Izraelin më 14-15 shtator, por Tel Avivi i kërkoi që të shtyjë vizitën për në fund të tetorit, e cila do të vinte pas përfundimit të mandatit të tij në Bruksel.
Borrell ka qenë nën kritikat izraelite për thirrjen e tij për vendosjen e sanksioneve ndaj ministrit të Sigurisë Kombëtare të ekstremit të djathtë Ben-Gvir dhe ministrit të Financave për mesazhet e tyre të urrejtjes kundër palestinezëve.
Diplomati evropian shprehu zemërimin e tij të enjten për sulmet ajrore izraelite në një shkollë të OKB-së që la dhjetra të vdekur në kampin e refugjatëve Nuseirat në Rripin qendror të Gazës një ditë më parë.
/RTSH/