Krivokapiq: Deklarata e Kurtit për demarkacionin, “provokim i papranueshëm”!

Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, është shprehur se deklarata e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me demarkacionin është “provokim i papranueshëm”.
“Është interesant që nuk ka asnjë reagim nga presidenti i Malit të Zi dhe kandidati antikushtetues për kryeministër, Dritan Abazoviq”, shkroi Krivokapiq në Twitter këtë të martë.
Të hënën Kurti tha se do të diskutojë me Qeverinë e re malazeze për çështjen e demarkacionit midis Malit të Zi dhe Kosovës. “Shpresojmë që do të ketë kushte të reja, me Qeverinë e re për ta trajtuar edhe këtë çështje, për të cilën natyrisht që fajin e përgjegjësinë e ka ajo Qeveria e atëhershme, e cila padrejtësisht, gabimisht e shumë dëmshëm ia dha Malit të Zi 8,200 hektarë të territorit të Kosovës”, tha Kurti.
Kuvendi i Malit të Zi ka miratuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Krivokapiqit në fillim të shkurtit, por ajo mbetet me mandat teknik deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.
I mandatuari për kryeministër është Dritan Abazoviq nga Lëvizja Qytetare URA.
Kuvendi i Kosovës ratifikoi marrëveshjen për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi më 21 mars 2018, pas disa përpjekjeve të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje të opozitës së atëhershme për të parandaluar ratifikimin me gaz lotsjellës. Në kohën e kryeministrit Ramush Haradinaj, Vetëvendosja e Kurtit pretendonte se Kosova me atë marrëveshje humbi më shumë se 8 mijë hektarë të territorit të saj. Ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi ishte një nga kushtet e fundit të Bashkimit Evropian për heqjen e regjimit tëvizave për Kosovën, gjë që ende nuk ka ndodhur.