E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza ekonomike, guvernatori Fullani: Bankat të rrisin kreditimin

TIRANË- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani ka kërkuar sot nga bankat të ndihmojë në rritjen e kreditimit të biznesit, si mundësi për rritjen ekonomike. Duke pranuar se mund të hyhet në një rreth vicioz, në të cilin moskreditimi i ekonomisë rezulton në një ngadalësim ekonomik të zgjatur që, për shkak të lidhjes së interesave, dëmton të gjithë aktorët në ekonomi, përfshi edhe bankat, Fullani ka apeluar për kreditim të ekonomisë.
Gjatë fjalës së tij në Forumin e Tretë të Hapur të sistemit bankar shqiptar, Fullani ka deklaruar se situata e përjetuar me likuiditetin, si edhe efektet e krizës ndërkombëtare mbi sektorin real të ekonomisë, kanë sjellë uljen e theksuar të ritmit të kreditimit dhe kanë ndikuar negativisht në cilësinë e portofolit të kredisë së sektorit bankar.
Sipas tij, po konstatohet një ndërvarësi komplekse midis rritjes ekonomike dhe shëndetit financiar të bankave. "Rënia e investimeve dhe pjesërisht e konsumit në ekonomi, është reflektuar në ulje të kërkesës për kredi. Nga ana tjetër, rritja e primeve të rrezikut ka bërë që bankat të jenë më të kujdesshme në dhënien e kredive, duke i kushtuar një vëmendje në rritje treguesve të likuiditetit"- tha Fullani, duke shtuar se për pasojë, gatishmëria e bankave për të kredituar ekonominë me fonde, ka rënë.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›