Kriza e çmimeve, Spanja i kërkon BE-së zgjerimin e Fondit të Rimëkëmbjes dhe taksimin e gjigantëve të energjisë

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, i ka bërë thirrje Komisionit Evropian për ndërhyrje të thella financiare dhe rregullatore me qëllim përballimin e krizës së çmimeve të energjisë. Deklaratat e kreut të qeverisë spanjolle u bënë pas mbërritjes së tij në ditën e dytë të samitit informal të liderëve të Bashkimit Evropian, të mbajtur në Qipro.
Përballë barrës së rëndë ekonomike që po rëndon mbi konsumatorët dhe bizneset, Sanchez ka propozuar një paketë masash që kërkojnë një qasje më solidare nga ana e Brukselit për ndarjen e shpenzimeve të energjisë.
Tri kërkesat kryesore drejtuar Brukselit
Plani i propozuar nga Spanja përqendrohet në tre pika kyçe për lehtësimin e situatës ekonomike.
Madridi kërkon që afati i Fondit të Rimëkëmbjes të zgjatet nga 6 në 12 muaj, duke kaluar kufirin e muajit qershor, për t’u dhënë shteteve më shumë kohë dhe frymëmarrje në përdorimin e këtyre financimeve.
Kërkohet një lehtësim i rregullave të ashpra buxhetore të BE-së në mënyrë specifike për investimet në energji, duke aplikuar një standard të ngjashëm me atë që përdoret për shpenzimet në fushën e mbrojtjes.
Një nga propozimet më të forta është vendosja e një takse të veçantë mbi fitimet shtesë të korporatave dhe markave të mëdha energjetike, të cilat kanë përfituar nga luhatjet e tregut.
Mbrojtja e qytetarëve dhe biznesit
Synimi kryesor i këtij propozimi është të krijojë një mburojë financiare për ekonomitë evropiane.
“Kjo taksë mbi fitimet shtesë të kompanive të mëdha do të shërbejë për të financuar një përgjigje të përbashkët që synon mbrojtjen e kompanive dhe qytetarëve nga rritja e paprecedentë e çmimeve të energjisë,” theksoi Kryeministri Sanchez.
Ky propozim vjen në një kohë kur shumë shtete anëtare të BE-së po kërkojnë zgjidhje të përbashkëta për të shmangur një recesion të mundshëm të shkaktuar nga kostot e larta të jetesës dhe prodhimit industrial.
/rtsh.al/