Kriza e energjisë, Rama: Të pasurit të paguajnë më shumë!

Qeveria shqiptare duket se po shikon mundësi për të përballuar krizën energjetike në vend. Kryeministri Edi Rama tha në parlament se Ministria e Ekonomisë po zhvillon një studim për familjet e pasura. Ai tha se ky studim po bëhet për të parë mundësinë që të bëhet një ndarje e përkohshme e familjeve që mund të paguajnë më shumë për faturën e energjisë elektrike.
Aktualisht çmimi i energjisë elektrike në Shqipëri për popullatën është i njejtë në të gjithë vendin, 9.5 lekë për kilovat orë, pa TVSH.
Ende nuk është e qartë se kush do të konsiderohet i pasur dhe pesha specifike e tyre në konsumin e energjisë.
Përpara vitit 2015, deri në fashën 300 kWh çmimi i energjisë llogaritej me 7.7 lekë, ndërsa mbi këtë fashë, kilovatët llogariteshin me 12.5 lekë. Prej 2 vitesh, me reformën në energjitikë, çmimi i energjisë u uniformizua me 9.5 lekë/kilovat duke lënë mënjanë ndarjen e fashave. Opozita ka propozuar rikthimin e dy fashave të konsumit me çmime të ndryshme.