E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza e shpopullimit te Shqipërise/ Si rrezikohet e ardhmja

Shpopullimi i Shqipërisë nuk është më një paralajmërim për të ardhmen, por një realitet i dhimbshëm që po thellohet çdo ditë e më shumë. Një kambanë alarmi për vendin tonë, e cila duhet të dëgjohet nga të gjithë, sepse pasojat e kësaj krize po prekin çdo sektor të jetës ekonomike dhe shoqërore.

Dhe këtë nuk e thotë opozita, por e dëshmojnë të dhënat e institucioneve vendase dhe ndërkombëtare. Shifrat janë të qarta dhe tregojnë se Shqipëria po përballet me një krizë të thellë demografike, të shkaktuar nga ndërthurja e rënies natyrore të popullsisë me emigracionin masiv.

Raporti më i fundit i publikuar nga Instituti Hungarez i Çështjeve Ndërkombëtare thekson se rënia natyrore dhe emigracioni në Shqipëri po përforcojnë njëri-tjetrin. Sipas të dhënave të cituara në raport, popullsia e vendit arriti në rreth 2.36 milionë banorë në vitin 2024, duke u tkurrur me 1.2% krahasuar me një vit më parë.

Rritja natyrore e popullsisë mbetet shumë e kufizuar, ndërsa emigracioni vazhdon të jetë i lartë. Mosha mediane është rritur në rreth 44.3 vjeç, një tregues domethënës i plakjes së shpejtë të popullsisë dhe i pakësimit të njerëzve në moshë pune.

Shqipëria renditet ndër vendet me diasporën më të madhe në raport me popullsinë. Kjo do të thotë se nuk po humbasim vetëm njerëzit që largohen sot, por edhe mundësinë për të ripërtërirë popullsinë dhe fuqinë tonë punëtore në të ardhmen.

Shifrat e emigracionit drejt vendeve të Bashkimit Europian janë tronditëse.

Sipas Eurostat, 1.1 milion shqiptarë janë larguar me leje qëndrimi përgjatë 18 viteve të fundit, duke ndikuar ndjeshëm në tkurrjen e popullsisë së vendit. Vetëm gjatë vitit 2025, shqiptarët morën 68 mijë e 653 leje qëndrimi, 4% më shumë se një vit më parë, ku shumica e tyre emigruan për arsye familjare.

Pas këtyre shifrave qëndrojnë qindra mijëra histori njerëzore, familje të ndara, prindër larg fëmijëve dhe të rinj që detyrohen të kërkojnë jashtë vendit mundësitë që nuk i gjejnë në Shqipëri.

Shpopullimi po godet rëndë edhe territorin e vendit. Fshatra të tëra po boshatisen, komunitete po humbasin banorët dhe shërbimet bazë, ndërsa popullsia po përqendrohet gjithnjë e më shumë në qytetet dhe zonat urbane.

Një nga rastet më ekstreme është qarku i Korçës, ku mbi 80% e territorit rezulton pa popullsi banuese. Kjo është një dëshmi e qartë e përmasave të problemit dhe e braktisjes së zonave rurale, të cilat po humbasin gradualisht jetën dhe perspektivën e tyre.

Por pasojat më të rënda të kësaj krize po i shohim te fëmijët, te shkollat dhe te e ardhmja e brezave të rinj.

Viti i ri shkollor ka sjellë sërish një panoramë të trishtë, me shkolla që mbyllen, me klasa që mbeten bosh dhe me familje të tëra që largohen nga vendi.

Nga Korça vijnë shembuj që duhet të na shqetësojnë të gjithëve. Banorët e Neviçishtit e kujtojnë me nostalgji kohën kur shkolla e fshatit ishte e mbushur me nxënës dhe mësues. Për breza të tërë, ajo ka qenë një nga institucionet më të rëndësishme të komunitetit, ku qindra fëmijë kanë marrë dijet e para.

Sot, kjo panoramë e dhimbshme nuk është më një rast i izoluar. Ajo po përsëritet në të gjithë Shqipërinë. Shkolla që mbyllen, familje që largohen dhe auditore që po mbeten bosh janë shenja të një krize që po cenon drejtpërdrejt të ardhmen e vendit.

Në Mallakastër, shkolla e bashkuar e Fratarit mbledh nxënës nga fshatrat Drizar, Damës, Gadurovë, Kremenar, Corrush, Kut, Bejar dhe zona të tjera përreth. Në këtë bashki, shkollat e zonave Fratar, Aranitas dhe Ballsh janë bashkuar, ndërsa nxënësit janë orientuar drejt shkollave të përqendruara në qendër.

Në Selenicë, shkolla e Lapardhasë nuk do të hapet, pasi është regjistruar vetëm një nxënës. Dy shkolla 9-vjeçare, “Marigo Posio” në Vlorë dhe “Pano Nikolla” në Himarë, nuk kanë hapur dyert për shkak të rikonstruksionit. Në Këlcyrë, një shkollë nuk hapet për shkak të mungesës së plotë të regjistrimeve, ndërsa një gjimnaz në Bashkinë Libohovë rrezikon mbylljen për shkak të numrit shumë të ulët të nxënësve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›