Kriza, ekonomia në Eurozonë dhe Shqipëria

Komisioni Evropian po përgatitet të rishikojë vlerësimet e rritjes së Eurozonës për vitin 2022, me një ulje drastike të Prodhimit të Brendshëm Bruto në krahasim me parashikimin e tij të fundit në shkurt. Sipas burimeve zyrtare, në parashikimet e reja ekonomike pranverore që Brukseli do të prezantojë të hënën, ndikimi ekonomik i luftës në Ukrainë ka rënduar rritjen e të gjithë zonës euro. Komisioni Evropian do të shpallë uljen e vlerësimeve të rritjes së Eurozonës për vitin 2022 nga 4% e parashikuar në shkurt, në 2.7%.
Në vijim, inflacioni do të shkojë në 6.1%, kundrejt parashikimit prej 3.5% në vlerësimet e dimrit.
Kështu raporton Bloomberg, duke cituar një draft të parashikimit të pranverës.
Në ndërkohë, nga Instituti i Statistikave të Bashkimit Evropian, Eurostat, prodhimi u raportuar me rënie prej 1,8% në bazë mujore. Edhe pse negative, shifra është më e mirë se sa pritej nga ekonomistët që kishin vlerësuar një tkurrje prej 2%.
Rënia e prodhimit industrial në Eurozonë tregon se lufta në Ukrainë ka një ndikim të madh në sektorin e prodhimit”, thanë ekspertët në Capital Economics. Të dhënat tregojnë se pengesat në zinxhirin e furnizimit “mbeten shumë akute”. Me ndalimin e mëtejshëm të importit të energjisë nga Rusia dhe mungesën e furnizimit që mbetet akute, ekonomistët thanë se ky është fillimi i një recesioni të prodhimit.
Shqipëria ka shënuar një inflacion në rritje gjatë katërmujorit duke tejkaluar çdo parashikim të bërë më parë edhe nga Banka e Shqipërisë. Inflacioni ka kaluar jo vetëm kufirin e targetuar të autoritetit monetar, por edhe parashikimet pesimiste, të bëra prej tij, në raportin e fundit. Inflacioni shënon 6,2 për qind dhe treguesi në vijim i çmimeve të konsumit duket se nuk do të ndalojë këtu.
Nëse i referohemi edhe treguesve që pritet të publikohen të hënën në Bruksel, do të thotë se do të kemi një inflacion të importues nga shërbimet e mallrat që marrim në Eurozonë, që do ta vendosë treguesin e inflacionit në një kurbë rritëse për muajt në vijim. Nuk ka shenja që të kemi ulje të çmimit të energjisë në bursën europiane dhe as çmime në ulje të produkteve bujqësore dhe ushqimore bazë.
/rtsh/