E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza hyn ne palce bllokohet gjithcka

Ministria i Financave ndërmerr aksionin e radhës në tentativë për të shkurtuar sadopak shpenzimet në buxhet. Të dhënat e 7-mujorit për buxhetin nuk ishin ato të duhurat, për rrjedhojë, ministri i ka paraqitur qeverisë planin e ri të shkurtimeve, nga ku mësohet se punonjësve të shtetit do t’u mohohen shumë të drejta.

Gazeta “Shqip” disponon një kopje të projektvendimit, hartuar më 28 gusht nga departamenti i buxhetit në ministri, ndërsa zbatimi i kursimeve do të nisë pas datës 7 shtator. Kjo është tentativa e dytë e ministrit Ridvan Bode për të disiplinuar arkën e shtetit. Hapin e parë e hodhi në mars të këtij viti, ku me anë të një qarkoreje kufizoi planin e investimeve, si rrjedhojë e krizës së thellë në vend për shkak të mungesës së të ardhurave nga taksat. Kësaj here, ministri ka kërkuar ndërprerjen e të gjitha shpenzimeve operative, tenderëve për këtë qëllim, shpërblimet, dietat, rekrutimet në punë, trajnimet etj.

“Duke nisur nga data 7 shtator 2012, botimi i çdolloj njoftimi (tenderi), përjashtuar njoftimin e kontratës së nënshkruar, për prokurim të fondeve buxhetore për shpenzimet operative, të njësive të qeverisjes qendrore, bëhet vetëm me leje të ministrit të Financave dhe duhet të tregojë detyrimisht burimin e financimit”, thuhet në pikën e parë të projektvendimit, i cili me shumë gjasa duhet të jetë miratuar javën e kaluar nga Këshilli i Ministrave. Financat përjashtojnë nga ky rregull fondet buxhetore që shkojnë për shërbimin e ushqimit apo medikamenteve në ato njësi të qeverisjes qendrore në të cilat kryhet ky shërbim, blerjet e vogla emergjente, të cilat nuk janë objekt prokurimi.

Shpenzimet operative janë një zë i rëndësishëm në buxhet dhe shërben për blerjen e shërbimeve të ndryshme dhe pajisjeve etj.

Megjithatë, vendimi i Ministrisë së Financave nuk prek vetëm këtë zë, por përfshin edhe shpenzimet për telefonat e punonjësve të administratës. Kriza ka hyrë aq thellë në buxhetin e shtetit sa detyron ministrin të reduktojë kuotat e bisedave telefonike, me të paktën 20 për qind. Një vendim i tillë është marrë për herë të parë vitin e kaluar, në korrik, nga ku shumë specialistë dhe shefa të administratës u katandisën me 2 mijë lekë kuotë telefonike në muaj.

Ministria e Financave nuk ka kursyer as dietat, shpërblimet, udhëtimet dhe trajnimet. Në pikën 6 thuhet se, “Shpenzimet për udhëtimet dhe dieta jashtë vendit, për njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të reduktohen duke përfshirë vetëm udhëtimet e rëndësisë së veçantë dhe vetëm për një numër të kufizuar punonjësish”, në çdo rast, sqaron ministria, për kryerjen e këtyre udhëtimeve duhet të merret miratimi i ministrit apo titullit të institucionit, ndërsa në rastin e pjesëmarrjes në konferenca apo aktivitete për të cilat paguhet tarifë pjesëmarrjeje, merret paraprakisht miratimi i ministrit të Financave. Pra, do të jetë vetë Bode që lëshon autorizimin se kush do të udhëtojë jashtë nga zyrtarët e qeverisë.

Ministria e Financave ka bllokuar edhe trajnimet, seminaret apo kurset jashtë vendit për nëpunësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme, të parashikuara për t’u mbuluar plotësisht apo pjesërisht me fondet e buxhetit të 2012-s. E thënë ndryshe, kush kishte bërë plan për seminar jashtë vendit me paret e buxhetit, ta harrojë, pasi Bode e ka anuluar.

Shkurtimet nuk mbeten deri këtu, por shtrihen edhe në zëra të tjerë. Çdo institucion ka një fond të veçantë, sa 5 për qind e fondit të pagave, i cili shërben për shpërblime ndaj punonjësve me performancë pozitive, për raste gëzimesh apo hidhërimesh, (lindjeje, vdekje, aksidente, etj). Ky fond, i cili shërben edhe për aktivitete kulturore, nuk do të përdoret deri më datë 5 dhjetor.

Ministria vendos dhe një kriter të ri. “Fondet buxhetore të papërdorura deri në miratimin e këtij vendimi për trajnimet, seminaret apo dhe kurset (përfshi këtu edhe trajnimet e ITAP) brenda vendit për nëpunësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme, të parashikuara për t’u mbuluar plotësisht apo pjesërisht me fondet buxhetore të miratuara për vitin 2012, do të reduktohen në masën 50 për qind”, thotë ministria.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›