Kriza politike në Francë, Macron nën presion për të thirrur zgjedhje të parakohshme parlamentare

Pas tetë vitesh në detyrë, pozicioni i Emmanuel Macron si president po lëkundet pasi kriza politike në Francë po përshkallëzohet. Për herë të tretë brenda një viti, kryeministri i zgjedhur prej tij ka dhënë dorëheqjen dhe sondazhet parashikojnë se pothuajse tre të katërtat e votuesve mendojnë se edhe presidenti duhet të japë dorëheqjen.
Aleati i tij prej kohësh, Édouard Philippe, i cili shërbeu si kryeministri i parë i Macron nga viti 2017 deri në vitin 2020, i ka kërkuar atij të emërojë një kryeministër teknokrat dhe të thërrasë zgjedhjet presidenciale, por Macron ka më shumë gjasa të shpërndajë parlamentin sesa të japë dorëheqjen.
“Nuk do ta zgjasim atë që kemi përjetuar gjatë gjashtë muajve të fundit. Edhe 18 muaj të tjerë janë shumë dhe po dëmtojnë Francën. Loja politike që po luajmë sot është shqetësuese”,- tha Philippe.
Edhe Gabriel Attal, i cili drejtoi për disa muaj qeverinë, duke u bërë edhe kryeministri më i ri i Francës, tha se nuk i kupton më vendimet e presidentit. “Macron ishte përpjekur të rivendoste kontrollin tri herë gjatë vitit të kaluar, – tha Attal – dhe tani është koha për të ndarë pushtetin me partitë e tjera. “Mendoj se duhet të provojmë diçka tjetër.”- shtoi ai.
Deri më tani, presioni mbi presidentin 47-vjeçar francez për të dhënë dorëheqjen ka ardhur kryesisht nga kundërshtarët e tij politikë në të majtën më radikale dhe të djathtën ekstreme. Ndërhyrjet publike nga aleatët e tij tregojnë se sa serioze është bërë kriza politike në Francë.
Ky vend ka qenë në krizë politike që nga zgjedhjet e vitit 2024, të thirrura nga Macron në përgjigje të humbjes në zgjedhjet parlamentare evropiane, të cilat prodhuan një parlament të ndarë mes tre blloqeve, asnjëra në shumicë, e majta, radikale, e djathta ekstreme dhe aleanca e qendrës së djathtë e Macronit.
/RTSH/